SHGM organizoi trajnim për raportim etik mbi procesin e integrimit evropian

Si t’ua afrojmë qytetarëve proceset komplekse që zhvillohen në Bruksel, përmes një gjuhe të qartë dhe të kuptueshme? Si ta dallojmë manipulimin e informacionit, dhe si të bëjmë dallimin mes një fakti të saktë dhe një përfundimi të gabuar? Këto pyetje ishin në fokus të trajnimit njëditor për gazetarë dhe punonjës mediatikë me temë “Raportimi etik mbi procesin e integrimit në BE”, të cilin Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e realizoi më 21 tetor, në Klubin e Gazetarëve në Shkup.
Përmes shembujve praktikë, ushtrimeve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre për raportimin mbi procesin e integrimit evropian, reformat e brendshme dhe aspektet ekonomike që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Trajnimi u udhëhoq nga Dimitar Nikollovski dhe Toshe Ognjanov, të cilët, përmes sesioneve interaktive, trajtuan çështje që lidhen me mënyrën se si mund të shpjegohen politikat evropiane pa përdorur gjuhë të panevojshme administrative, si të ndiqen dhe interpretohen mesazhet nga Brukseli dhe si gazetarët të ruajnë distancën profesionale në kushtet e presioneve politike dhe interpretimeve të ndryshme të informacioneve.
Theks i veçantë iu kushtua verifikimit të fakteve, identifikimit të narrativave manipuluese dhe vlerësimit kritik të informacioneve përpara publikimit të tyre. Përmes detyrave konkrete redaksionale, pjesëmarrësit punuan në shndërrimin e informacioneve komplekse në përmbajtje gazetareske të sakta, të kontekstualizuara dhe të kuptueshme.
Qëllimi i trajnimit ishte të nxiste raportimin profesional dhe të përgjegjshëm mbi procesin e integrimit evropian, duke vënë në qendër interesin publik dhe nevojën që qytetarët të marrin informacione të verifikuara, të çliruara nga zhurma politike dhe terminologjia e panevojshme evropiane.
Trajnimi është pjesë e projektit “Fuqizimi i raportimit etik në Maqedoninë e Veriut për integrimin në BE”, i cili realizohet me mbështetje financiare nga Suedia, përmes projektit “Mbështetje për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut“, të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS).
Trajnimi realizohet me mbështetje financiare nga Suedia, përmes projektit “Mbështetje për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut”, të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS). Përmbajtja e këtij trajnimi është përgjegjësi ekskluzive e SHGM-së dhe e trajnuesve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron qëndrimet e Suedisë dhe UNOPS-it.
