PREAMBULA

Liria e mediave është e drejtë e pacenueshme.

Misioni i gazetarisë mbështetet në të drejtën e çdo njeriu për të pasur qasje në informata dhe ide, në përputhje me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Detyrë dhe obligim i gazetarëve është të respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e publikut për t’u informuar në kohë dhe saktë. Përgjegjësia e gazetarit ndaj publikut ka përparësi ndaj detyrimeve ndaj punëdhënësit ose çdo autoriteti tjetër.

Gazetari mbron interesin publik. Interes publik është publikimi i të gjitha informatave që do t’u ndihmojnë qytetarëve të formojnë mendim dhe të marrin qëndrim për ngjarjet dhe dukuritë në shoqëri, e veçanërisht kur ato kanë të bëjnë me sigurinë, shëndetin, llogaridhënien publike, ushtrimin e funksioneve publike dhe mbrojtjen e të drejtave. Gazetari duhet të bëjë dallim ndërmjet interesit publik dhe interesit të publikut.

Gazetarët obligohen të respektojnë të drejtat e njeriut, standardet etike dhe profesionale, duke përfshirë:

  • mbledhjen dhe shpërndarjen e pavarur të informatave;
    • transmetimin e vërtetë dhe të saktë të informatave;
    • drejtësinë dhe balancimin;
    • të drejtën për koment si zhanër gazetaresk.

Gazetarët ushtrojnë veprimtari publike. Ata e kuptojnë nevojën për sjellje të përgjegjshme dhe do të kultivojnë kulturën e komunikimit dhe etikën.

Gazetarët do të mbrojnë të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe lirinë e qytetarëve, do të respektojnë pluralizmin e ideve dhe do të kontribuojnë në avancimin e demokracisë, shtetit juridik dhe llogaridhënies publike.

Gazetarët do të tregojnë solidaritet të ndërsjellë ndaj kolegëve që i përmbahen dispozitave të këtij Kodi, si dhe dokumenteve të tjera në të cilat janë të inkorporuara standardet profesionale dhe etike. Gazetarët nuk do ta përdorin median për përplasje apo larje hesapesh me kolegët.

Ky Kod zbatohet për të gjitha format e shprehjes gazetareske, pa marrë parasysh mediumin ose platformën teknologjike.

BAZUAR NË KËTO PARIME DHE VLERAT ETIKE:

  1. Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë dhe përdorim të përgjegjshëm të të gjitha burimeve të informatave me interes publik. Gazetari duhet të publikojë informata të sakta dhe të verifikuara, nuk duhet të fshehë të dhëna thelbësore dhe as të falsifikojë dokumente. Fshehja e fakteve është e barabartë me shtrembërimin e tyre të qëllimshëm.
  2. Gazetari duhet të verifikojë saktësinë e informatës sa më shumë që është e mundur dhe nga burime të pavarura mes vete. Gazetari do ta emërtojë burimin e informacionit, ndërsa nëse burimi kërkon të mbetet anonim do ta mbrojë. Nëse informata ka vetëm një burim, nuk mund të konfirmohet ose është supozim, kjo duhet të theksohet.
  3. Plagjiatura, falsifikimi dhe/ose manipulimi me përmbajtje janë në kundërshtim me etikën gazetareske dhe janë të papranueshme.
  4. Gazetari ka detyrim të mundësojë publikimin e drejtë dhe në kohë të përgënjeshtrimeve ose korrigjimeve që mund të ndikojë ndjeshëm në përmbajtjen e publikuar, respektivisht në çdo rast kur bëhet fjalë për fakte të publikuara që janë dukshëm të pasakta.
  5. Gazetari ka detyrim që çdo ndryshim në përmbajtjen e publikuar ta shënojë qartë dhe pa vonesë. Korrigjimet duhet të jenë lehtësisht të dukshme dhe të lidhura drejtpërdrejt me informacionin bazë.
  6. Gazetari duhet të bëjë dallim ndërmjet fakteve dhe opinioneve, ndërmjet lajmit dhe komentit. Titulli dhe paraqitja vizuale duhet ta pasqyrojnë përmbajtjen e produktit gazetaresk.
  7. Gazetari nuk guxon të keqpërdorë pozitën profesionale për përfitim  personal. Dhuratat, shërbimet, kompensimet financiare, udhëtimet, privilegjet, punësimet ose çfarëdo përfitimi tjetër që mund të ndikojë në pavarësinë e gazetarit ose të krijojë perceptim të njëanshmërisë, janë të papranueshme. Tregtimi me ndikim, korrupsioni, zhvatja dhe konflikti i interesit janë në kundërshtim me etikën gazetareske. Në rast të një konflikti të mundshëm interesi, gazetari ka detyrim të jetë transparent ndaj publikut.
  8. Përmbajtja gazetareske duhet të jetë qartë e ndarë nga përmbajtja reklamuese ose e sponsorizuar, në mënyrë që publiku të mos vihet në lajthitje.
  9. Gazetari duhet të respektojë privatësinë e individit, përveç rasteve kur ekziston interes publik.
  10. Raportimi për aksidente, tragjedi, luftëra, sëmundje, vuajtje personale dhe tema të tjera të ndjeshme duhet të jetë i liruar nga sensacionalizmi. Gazetari duhet të informojë me empati dhe duke respektuar dinjitetin e personave të prekur.
  11. Raportimi për vetëvrasje dhe tentativa për vetëvrasje nuk duhet të përfshijë përshkrime të detajuara apo fotografi dhe video eksplicite.
  12. Gazetari është i detyruar të respektojë të drejtat, dinjitetin dhe interesin më të mirë të fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara dhe grupeve të tjera të cenueshme. Fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara në gjykim nuk duhet të intervistohen, fotografohen, incizohen apo të publikohen përmbajtje që lidhen me ta, pa pëlqimin e prindit/kujdestarit, përveç rasteve kur kjo nuk shkakton dëm dhe bëhet fjalë për interes publik.
  13. Në raportimin për vepra penale dhe procedura gjyqësore, gazetari duhet të respektojë prezumimin e pafajësisë dhe nuk do të shpallë askënd fajtor para se këtë ta bëjë gjykata.
  14. Gazetari nuk do të krijojë ose përpunojë përmbajtje që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Nuk duhet të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe as të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo baze.
  15. Gazetari duhet të raportojë në mënyrë të paanshme për çështjet politike, përfshirë zgjedhjet, gjë që nuk nënkupton vetëm balancë formale, por edhe paraqitje të drejtë të fakteve dhe qëndrimeve relevante. Gazetari nuk guxon ta përdorë profesionin e tij për promovim personal politik, për promovimin e elitave politike apo të biznesit, dhe as të marrë pjesë në aktivitete që mund ta vënë në konflikt të drejtpërdrejtë interesi. Çdo formë e reklamimit politik ose e përmbajtjes së sponsorizuar duhet të jetë e shënuar qartë.
  16. Përdorimi i inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjes gazetareske duhet të shënohet qartë. Gazetari është plotësisht përgjegjës për saktësinë e informatave dhe integritetin e produktit mediatik. Është e papranueshme përdorimi i inteligjencës artificiale për krijimin ose shpërndarjen e përmbajtjeve të rreme, manipuluese ose thelbësisht të ndryshuara, të cilat mund ta vënë publikun në lajthitje. Produkti gazetaresk nuk guxon të përbëhet tërësisht nga përmbajtje e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
  17. Publikimi i përmbajtjeve gazetareske të siguruara me incizim të fshehtë nuk lejohet, përveç kur informacioni nuk mund të sigurohet ndryshe dhe ekziston interes publik.
  18. Gazetari ka të drejtë të refuzojë një detyrë pune nëse ajo bie në kundërshtim me parimet e këtij Kodi.

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Gazetarët që punojnë në përputhje me këtë Kod gëzojnë përkrahjen e mediave të tyre dhe të organizatave të tyre profesionale.

Në përputhje me ligjet tona, gazetarët do ta pranojnë vlerësimin profesional vetëm prej kol egëve të tyre dhe do të jenë jashtë ndikimeve politike dhe ndikimeve të tjera

Për respektimin e parimeve të këtij Kodi kujdeset Këshilli i Nderit i “Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë”.