Nga mbrojtja digjitale deri te menaxhimi i zgjuar i financave: SHGM mbajti dy trajnime për gazetarët

Si t’i mbrojmë pajisjet dhe informacionet tona në botën digjitale? Si t’i identifikojmë rreziqet e sigurisë gjatë përdorimit të teknologjive të reja dhe si t’i menaxhojmë më mirë financat personale? Këto ishin disa nga pyetjet për të cilat gazetarët dhe punonjësit mediatikë kërkuan përgjigje gjatë dy trajnimeve tematike që u mbajtën më 16 dhe 17 tetor në Shkup.
Në kuadër të Akademisë së Trajnimit për Gazetarë dhe Punonjës Mediatikë (T-AJM), programi dyditor përfshiu temat e teknologjive të reja, sigurisë digjitale dhe edukimit financiar, me qëllim që pjesëmarrësit të përfitonin njohuri dhe mjete praktike, të dobishme si në punën profesionale, ashtu edhe në jetën e përditshme.
Dita e parë iu kushtua sigurisë digjitale dhe sfidave që sjell realiteti i ri teknologjik. Trajnimin për këtë temë e mbajti Aleksandar Manasiev, i cili foli për bazat e mbrojtjes digjitale, përdorimin e sigurt të pajisjeve, fjalëkalimet dhe autentifikimin, sigurinë në internet të gazetareve, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në gazetarinë bashkëkohore. Theks i veçantë iu kushtua sigurisë në punën e redaksive dhe mënyrave për identifikimin dhe zvogëlimin e rreziqeve digjitale.
Dita e dytë iu kushtua edukimit financiar, me udhëzime praktike për planifikimin dhe menaxhimin më të mirë të financave personale. Ekspertja financiare Kristina Kunovska i ndihmoi pjesëmarrësit të njiheshin me bazat e vendimmarrjes financiare, planifikimin e buxhetit, strategjitë e kursimit, menaxhimin e borxheve dhe bazat e investimit. Përmes ushtrimeve praktike, ata patën mundësinë t’i zbatonin njohuritë e fituara dhe të reflektonin mbi zakonet dhe prioritetet e tyre financiare, si dhe t’i përdornin këto njohuri gjatë trajtimit të temave ekonomike në punën e tyre profesionale gazetareske.
Të dy trajnimet ofruan një kombinim prezantimesh, diskutimesh interaktive dhe ushtrimesh praktike, por edhe hapësirë për shkëmbimin e përvojave ndërmjet kolegëve nga media të ndryshme.
Përmes aktiviteteve të këtilla, SHGM vazhdon të investojë në zhvillimin profesional të gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, duke vlerësuar se gazetaria bashkëkohore kërkon përmirësim dhe avancim të vazhdueshëm të aftësive.
Foto: SHGM
Trajnimet u mbajtën me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Akademia e Trajnimit për Gazetarë dhe Punonjës Mediatikë – T-AJM”. Për përmbajtjen është përgjegjëse ekskluzivisht Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe ajo nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.
