U promovua analizë krahasuese dhe rekomandime në luftën kundër padive SLAPP

Në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik, sot në hapësirat e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAAV) u mbajt një ngjarje dedikuar forcimit të rezistencës së komunitetit medial ndaj presioneve juridike ndaj gazetarëve, me fokus te paditë strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut (SLAPP).
Pjesa qendrore e ngjarjes ishte prezantimi i Analizës krahasuese për trajtimin e SLAPP në vendet e BE-së dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor në krahasim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, e përgatitur nga Zharko Aleksov dhe Zharko Haxhi-Zafirov. Analiza tregon për boshllëqe serioze në rregullativën kombëtare dhe praktikën gjyqësore – nga mungesa e mekanizmave të qartë proceduralë për hedhjen e hershme poshtë të padive abuzive, deri te mbrojtja e pamjaftueshme e gazetarëve nga presioni financiar dhe psikologjik. Autorët rekomanduan një set masash ligjore dhe institucionale që do të mundësonin një reagim më të shpejtë të gjykatave dhe një parandalim më të mirë të rasteve SLAPP.

Ngjarjen “Ndërtimi i rezistencës: Akademia T-ajm për gazetarë – si të përballemi me paditë SLAPP” e hapi kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, i cili porositi se lufta kundër SLAPP është pjesë kyçe e përpjekjeve për avancimin e sigurisë dhe pavarësisë së gazetarëve. Në pjesën hyrëse, përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë Leona Kiçeec u ndal te rëndësia e temës SLAPP dhe theksoi gatishmërinë e Ministrisë për dialog me komunitetin medial dhe opinionin profesional rreth reformave të ardhshme.

Për gjendjen dhe trendet e lidhura me paditë SLAPP foli edhe Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i SHGM-së, i cili theksoi se numri i rasteve me elemente SLAPP është në rritje, ndërsa presionet shpesh vijnë nga qendra të fuqishme politike dhe ekonomike. Ai theksoi se analiza krahasuese duhet të jetë një hartë praktike për reformat – nga harmonizimi me standardet evropiane dhe Direktivën e re për SLAPP, deri te ndryshimi i ligjeve kombëtare, avancimi i praktikës gjyqësore dhe vendosja e mekanizmave për mbështetje juridike dhe psikologjike të gazetarëve. Sekullovski potencoi se pa qasje sistemike dhe koordinim mes institucioneve, organizatave mediatike dhe partnerëve ndërkombëtarë, SLAPP do të vazhdojë të minojë lirinë e shprehjes.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, foli për trendet evropiane dhe masat që ndërmarrin institucionet e BE-së, duke theksuar se solidariteti dhe qasja e koordinuar e organizatave të gazetarëve janë kyçe. Ai theksoi se aktivitetet e Akademisë së Trajnimit për Gazetarë pranë SHGM kontribuojnë ndjeshëm për forcimin e kapaciteteve të gazetarëve dhe punonjësve të mediave për përballje me SLAPP.

Përfundimi i ngjarjes ishte se zvogëlimi dhe parandalimi i padive SLAPP kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional, përmirësime thelbësore ligjore dhe mekanizma praktikë për mbështetjen e gazetarëve që janë objekt i presioneve juridike. Komuniteti medial, së bashku me institucionet qytetare dhe shtetërore, duhet të punojnë për ndërtimin e një shoqërie më rezistente, në të cilën mendimi kritik është i mbrojtur, ndërsa mediat mund të kryejnë lirshëm rolin e tyre demokratik.
SHGM mbetet e përkushtuar në mbështetjen e gazetarëve dhe promovimin e politikave që garantojnë lirinë e shprehjes dhe një mjedis të sigurt medial për të gjithë punonjësit e mediave.
Kjo publikim është përgatitur në kuadër të projektit “Akademia trajnuese e gazetarëve dhe punonjësve mediatik, T-AJM”, i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe i implementuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), në partneritet me Iniciativën për Perspektivë Evropiane (IEP) dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ).
