U mbajt takim pune i seksionit të gazetarëve të rinj në SHGM

Në takimin e punës, ku morën pjesë afër njëzet pjesëmarrës nga disa media të ndryshme, përmes një debati u vendosën konturet e planit strategjik, ku u pranuan qartë prioritetet dhe synimet e këtij seksioni për periudhën në vijim.
Në ngjarjen, fjalë përshëndetëse mbajtën Mlladen Çadikovski, kryetar i SHGM-së dhe Sashka Cvetkovska, koordinatore e iniciativës për themelimin e seksionit të gazetarëve të rinj në SHGM.

Si një nga konkluzionet kryesore gjatë takimit ishte se anëtarët e seksionit do të përpiqen të përmirësojnë statusin socio-ekonomik të gazetarëve të rinj në redaksitë, por në të njëjtën kohë do të punohet në përmirësimin e aftësive për raportim të avancuar dhe respektimin e standardeve në profesionin e gazetarisë, si dhe rrjetëzime mes redaksive.
Nëpërmjet aktiviteteve të përcaktuara në draft-planin strategjik të seksionit, është parashikuar që anëtarët të afirmojnë gazetarinë si një profesion tërheqës, sepse sot ka gjithnjë e më pak interes për të dhe shumë redaksi përballen me probleme serioze për të gjetur dhe për të punësuar gazetarë. Një nga konkluzionet tjera gjatë takimit ishte se puna aktive e këtij seksioni do të kontribuojë në ndërtimin e një solidariteti më të madh në profesionin e gazetarisë dhe në avancimin e mëtejshëm të njohurive si profesionistë në këtë sektor. Krahas popullarizimit, seksioni në të ardhmen, përmes ngritjes së kapaciteteve, do t’u mundësojë gazetarëve të rinj që të kenë jo vetëm mundësinë për të dëgjuar përvoja nga media të tjera dhe një pasqyrë historike se si kanë ndryshuar gjërat, por edhe për standardet profesionale dhe vijat e kuqe të profesionit. Ndër të tjerash, në takimin u prezantuan fakte edhe për numrin e zmadhuar të sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik si dhe kërcënimet që ata kanë marrë, veçanërisht në internet, gjë për të cilën SHGM ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh dhe ka alarmuar institucionet rajonale.

Këto informacione dhe kushte do të shërbejnë në të ardhmen për përgatitjen e Protokollit për Sigurinë e Gazetarëve, i cili do të përgatitet në bashkëpunim mes SHGM-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) gjatë vitit 2022. Takimi u mbajt më 13.04.2022 në hapësirat e kafenesë KOTUR në Shkup. Seksioni i gazetarëve të rinj mbetet një forum i hapur të cilit mund të bashkëngjitet secili profesionist i ri nga të gjitha mediat në Shkup dhe qytetet tjera të Maqedonisë.
Ngjarja është në kuadër të projektit “Sindikatat për rimëkëmbje të drejtë”, financuar nga Bashkimi Evropian përmes Konfederatës Evropiane së Sindikatave dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve.