U mbajt edhe uebinari i dytë për shkëmbimin e praktikave në fushën e Ligjit për shpifje dhe fyerje

Më 12 qershor u zhvillua uebinari i dytë me temë “Shkëmbimi i njohurive dhe praktikave për shpifje dhe fyerje në Maqedoninë e Veriut si parakusht për ndryshime cilësore në ligjin aktual” (PJESA 2) e organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe aksioni i përbashkët i BE-së dhe Këshillit të Evropës “Liria e shprehjes dhe liria e mediave në Maqedoninë e Veriut (JUFREKS)”. Në këtë uebinar morën pjesë gazetarë që kanë përvojë në mbulimin e temave lidhur me shpifjen dhe fyerjen ose vetë kanë qenë pjesë e proceseve gjyqësore të tilla, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mediave, avokatë me përvojë në fushën e lirisë së shprehjes, si dhe përfaqësues të Ministria e Drejtësisë, përfshirë edhe Ministren Renata Deskoska.

Gjatë punëtorisë u bisedua për Ligjin për përgjegjësi civile për shpifje dhe fyerje dhe praktikën e palëve të interesuara në zbatimin e këtij ligji. Duke marrë parasysh që shumica e pjesëmarrësve kanë përvojë praktike dhe teorike me zbatimin e këtij ligji, u zhvillua një debat konstruktiv ku u shkëmbyen përvoja dhe informata mbi temën nga vendi, por edhe nga rajoni.
Uebinarin e hapi Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Dragan Sekullovski, i cili në fjalimin e tij përshëndeti të pranishmit, prezantoi agjendën dhe katër bashkëbiseduesit: gjykatësja Mirjana Lazarova-Trajkovska, këshilltari për legjislacion penal Nikolla Prokopenko, gazetari Sreqko Popovski, dhe redaktoren e përmbajtjeve në gjuhën shqipe në projektin: “Me mendim kritik deri tek qytetarët me shkathtësi mediatike – KriTink” – Elida Zylbeari. Përveç kësaj, Sekullovski hapi diskutimin duke theksuar se Ligji për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje duhet të ndryshohet, dhe kjo punëtori është një mundësi e shkëlqyeshme për të shkëmbyer mendime dhe pikëpamje mbi këtë temë me përfaqësuesit e të gjithë palëve të interesuara. Sipas Sekullovskit, qëndrimet dhe përvojat e mbledhura nga ky uebinar do të ndahen me grupin punues për ndryshimin e Ligjit për shpifje dhe fyerje, në mënyrë që të krijohet një ligj cilësor, nga i cili do të përfitojnë jo vetëm gazetarët dhe punonjësit e mediave, por edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë.
Në këtë uebinar, fjalë përshëndetëse mbajtën Mlladen Çadikovski – kryetar i SHGM-së, Renata Deskoska – Ministre e Drejtësisë dhe Simona Trajkoska, asistente e projektit JUFREKS në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski tha se një nga përpjekjet kryesore të SHGM-së është që shpifjet dhe fyerjet të zgjidhen përmes mekanizmave të vetë-rregullimit, dhe për këtë qëllim është krijuar Regjistri i Online Mediave Profesionale (Promedia.mk). Çadikovski theksoi se Shoqata e Gazetarëve është e angazhuar që ndëshkimet e gazetarëve për këto dy akte të jenë minimale, të mos përfshijnë burgimin ose gjobat e larta që gazetarët nuk do të mund t’i paguajnë, pasi që kështu mund të rrezikohet liria e shprehjes.
Në fjalimin e saj, Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se kjo temë është e rëndësishme jo vetëm për gazetarët, por në përgjithësi e edhe për çdo shtet demokratik. Ajo theksoi se Ministria e Drejtësisë ka filluar një proces për të ndryshuar Ligjin për shpifje dhe fyerje në mënyrë që të krijojë një kornizë evropiane që do të mund të zbatohet, duke mos përmbysur lirinë e shprehjes, dhe në të njëjtën kohë të krijojë ekuilibër me mbrojtjen e dinjitetit personal dhe të drejtave të tjera të qytetarëve.

Asistentja e projektit JUFREKS në Maqedoninë e Veriut – Simona Trajkovska përshëndeti të pranishmit dhe tha se qëllimi i këtij projekti është promovimi i lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në përputhje me standardet evropiane.
Folësja e parë në uebinarin ishte gjyqtarja Mirjana Lazarova-Trajkovska. Ajo foli për praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me lirinë e shprehjes. Sipas saj, GJEDNJ në aspektin e lirisë së shprehjes bazohet në tre shkallë jashtëzakonisht të rëndësishme ose të ashtuquajturin test trepalësh. Si tre lëndë nga GJEDNJ që mund të ndihmojnë në përmirësimin e ligjit, Trajkovska theksoi rastet: Selmani dhe të tjerët kundër Maqedonisë, Makraduli kundër Maqedonisë dhe Popovski kundër Maqedonisë. Sipas saj, për të mos shkaktuar çiling efekt tek gazetarët, gjykatat gjithmonë duhet t’i kushtojnë vëmendje të posaçme lartësisë së gjobave të shqiptuara. “Në Francë, megjithëse shpifja dhe fyerja janë pjesë e procedurës penale, gjykatat franceze shumë rrallë dënojnë gazetarët me gjoba të larta. Madje në shumicën e rasteve, gjoba është vetëm një euro,” tha Trajkovska.

Redaktorja e përmbajtjeve në gjuhën shqipe në projektin: “Me mendim kritik deri tek qytetarët me shkathtësi mediatike – KriTink” – Elida Zylbeari. Ajo foli për ndikimin e dënimeve që rrjedhin nga paditë për shpifje dhe fyerje dhe tha se gjobat e larta mund të kenë një efekt të dëmshëm për gazetarët. “Vetë-rregullimi i mediave dhe kontrollimi i fakteve janë një mekanizmat më të mira për parandalimin e padive për shpifje dhe fyerje,” tha ajo.
Këshilltari shtetëror për legjislacionin penal, Nikolla Prokopenko në fjalimin e tij kujtoi rekomandimet nga raportet e Pribe-së dhe raportet e tjera përkatëse nga institucionet evropiane, që duhet të merren parasysh në procesin e përgatitjes së ndryshimeve në Ligjin për shpifje dhe fyerje.
Gazetari Sreqko Popovski ishte i fundit që u drejtua në këtë uebinar. Sipas tij, liria e shprehjes nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrim i atij që e përdor këtë të drejtë që të mos shkaktojë dëme serioze dhe të pariparueshme ndaj reputacionin e të tjerëve. Popovski theksoi se gjykata duhet të jetë shkalla e fundit për të zgjidhur rastet me shpifje dhe fyerje pasi të shfrytëzohen të gjitha mundësitë tjera. “Dënimi më i madh për një gazetar është turpi profesional i shkaktuar nga detyrimi për të mohuar veten duke botuar një demant personal ose të redaksisë,” tha ai.
Uebinari u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë si pjesë e “Horizontal Facility për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një program i përbashkët i BE / Këshillit të Evropës.
Ky tekst është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Pikëpamjet e shprehura në tekst nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose Këshillit të Evropës.