TRAFIKU DHE PROBLEMET ME NDOTJEN E AJRIT – MË SHUMË MAKINA, MË PAK AJËR TË PASTËR

Mbi 200 mijë makina më shumë qarkullojnë në rrugët dhe autostradat e Maqedonisë krahasuar me një dekadë më parë, që do të thotë se ndotja nga gazrat e shkarkuara nga trafiku po rritet gjithnjë e më shumë.
Në dimër, ngrohja me dru është ndotësi kryesor, ndërsa në verë dominon trafiku. Në Maqedoni, vitin e kaluar (2024) janë importuar gjithsej 59,530 makina udhëtimi, prej të cilave 69.9% janë të përdorura. Të dhënat nga Dogana tregojnë se ky është numri më i madh i makinave të importuara në një vit që nga viti 2010 e këtej.
Më shumë makina, më pak frymë në kryeqytet
Kryeqyteti, në vitet e fundit, nuk mund të krenohet me transportin publik, dhe edhe më pak me ajër të pastër. Të dhënat për ndotjen e ajrit janë tronditëse.
Në publikimet me listat e qyteteve më të ndotura në Evropë dhe në botë, Shkupi padyshim gjendet mes dhjetë më të këqijve, dhe shpesh në pesëshen e parë për ajrin që është helmues për frymëmarrje, me grimca ndotëse disa dhjetëra herë më shumë se kufijtë e përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Përveç faktorëve që nuk mund të ndryshohen, si gjeografia, ndotja e ajrit në këtë qytet vjen edhe nga trafiku, siç tregojnë shumë studime vendore dhe ndërkombëtare.
Qyteti i Shkupit ka dhënë rekomandime për qytetarët: të mos përdorin makina pa nevojë, të udhëtojnë më shumë njerëz në një veturë dhe të përdorin transportin publik. Por, banorët e Shkupit duket se me të drejtë ankohen se shpesh vendi i tyre i punës “varet nga një fije” nëse mbështeten në transportin publik.
-“Transporti publik në vitet e fundit ka pësuar kolaps nga shumë arsye, dhe do të duhet shumë kohë që qytetarët t’i rikthejnë besimin. Për momentin, linjat e autobusëve nuk i plotësojnë kërkesat e njerëzve,” tregon banorja e Shkupit, Jana V., e cila prej vitesh udhëton me transport publik drejt punës.
Në Shkup, në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 214,775 automjete udhëtimi sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, prej të cilave 491 janë elektrike.

Gorjan Jovanovski, këshilltar në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe aktivist i njohur ekologjik prej vitesh, vlerëson se qyteti nuk ka bërë mjaftueshëm për të inkurajuar transportin alternativ. Sipas tij, transporti publik funksionon me shumë vështirësi, nuk mirëmbahen hapësirat e gjelbra, rrugët ndërtohen pa planifikim, dhe një pjesë e madhe e rrugëve për biçikleta përdoren si parkime.
Pas “druve”, makinat janë ndotësit më të mëdhenj në Kumanovë.
Pas djegies së biomasës, në Kumanovë trafiku është burimi i dytë më i madh i ndotjes së ajrit, duke kontribuar gjatë gjithë vitit, me rritje të ndjeshme gjatë muajve të verës dhe vjeshtës. Kontributi vjetor relativ i trafikut arrin 25% të masës totale të grimcave (PM 2.5), ndërsa kontributet mujore variojnë nga 6.6% deri në 53.1%, tregojnë hulumtimet e kryera në kuadër të projektit “Menaxhimi i Ndotjes së Ajrit”, që zbatohet nga UNDP dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me laboratorin ABMBIKON, i cili filloi në vitin 2023.

Kryesisht, ky burim vjen nga emetimi i gazrave të shkarkimit, konsumimi i frenave dhe gomave, si dhe nga djegia e naftës në motorë të vjetër dizel (traktorë, automjete të rënda, vetura të vjetra) ose motorë që nuk kanë mbrojtje të përshtatshme, thotë Afrodita Zendelska, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Teknike në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip.
Çfarë ndërmarrin komunat?
Vetëqeverisjet lokale që nuk investojnë në transport publik cilësor, padyshim që përballen me rrezik më të madh nga ndotja e ajrit, pasi kjo ndikon në përdorimin më të madh të veturave personale.
Në Kumanovë, po ndërmerren masa për të ulur nivelin e ndotjes dhe po realizohen disa veprime, thonë nga vetëqeverisja lokale.
– Futja e transportit publik urban është një nga masat për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, deklaroi Sandra Georgievska Protiq nga Sektori për Mjedis Jetësor në Komunën e Kumanovës.
Ajo shton se elektrifikimi i automjeteve në komunat e vogla është i rëndësishëm, por duhet të kombinohet me masa të tjera.
– Subvencionet për trotinetë dhe biçikleta mund të kenë efekt nëse një numër i madh qytetarësh i zëvendësojnë veturat, por nëse përdorimi i tyre mbetet simbolik ose vetëm për rekreacion, ndikimi në ndotjen e ajrit do të jetë minimal. Ka shumë shembuj të tillë, si “zona e gjelbër” dhe kufizimi i automjeteve të vjetra – shembull: Sofja (Bullgari), thotë Protiq.
Cili është cilësia e ajrit në Kriva Pallankë?
Në përgjithësi, jo vetëm nga trafiku, por deri vonë nuk dihej sepse nuk kishte matje të ndotjes së ajrit.
Komuna këtë vit (prill 2025) për herë të parë ka marrë sensorë për monitorimin e cilësisë së ajrit. Stacionet matëse janë vendosur në ndërtesën komunale, ndërsa qytetarët përmes faqes zyrtare të komunës mund ta ndjekin në çdo kohë cilësinë e ajrit.
Duke pasur parasysh që ndërtesa komunale ndodhet pranë rrugës kryesore të qytetit, ku ka trafik të dendur, matjet tregojnë se nuk ka rrezik më të madh nga grimcat e dëmshme në ajër, përkatësisht indeksi i cilësisë së ajrit në shumicën e ditëve tregon nivel të moderuar (deri në 25,30) të grimcave të pezulluara PM.
Për momentin, autoritetet thonë se nuk kanë fonde të mjaftueshme për hulumtime më të detajuara dhe më të gjera për këtë problematikë.

Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, Komuna e Kriva Pallankës ka 18.059 banorë (6.984 amvisëri), ndërsa në vitin 2024 janë regjistruar gjithsej 5.159 automjete, prej të cilave vetëm një është elektrike. (burimi: Enti Shtetëror i Statistikave)
Në anën tjetër, Komuna e Prilepit ka të vendosur një stacion automatik për monitorimin e cilësisë së ajrit ambienal, i cili vazhdimisht ndjek vlerat e matura të substancave ndotëse. Emetimet e gazeve serrë ndodhin gjatë djegies së karburantit, prodhimit të energjisë elektrike dhe termike, përpunimit të lëndëve të para/karburanteve, proceseve industriale, krijimit dhe trajtimit të mbetjeve, si dhe nga aktivitetet bujqësore. Përqindja e pjesëmarrjes së të gjitha sektorëve në emetimet totale të gazeve serrë në Komunën e Prilepit tregon se sektori i energjisë stacionare dhe transporti zënë pjesën më të madhe, me pothuajse 88 për qind të emetimeve, nga të cilat 43 për qind i takojnë transportit, bëjnë të ditur nga Komuna e Prilepit.
Atje ka nisur zbatimi i projektit “Climate Bridges”, që ka për qëllim përmirësimin e zbatimit të politikave të gjelbra në nivel lokal dhe uljen e emetimeve të gazeve serrë, përmes stimulimit të bashkëpunimit ndërmjet palëve të interesuara, ndryshimit të sjelljes dhe zbatimit të praktikave të qëndrueshme.
Ndotja nga trafiku është në zonën e frymëmarrjes
Monitorimi i cilësisë së ajrit dhe ndikimi i ajrit të ndotur në shëndetin e popullatës është në kompetencë të Qendrave për Shëndet Publik.
– Gjatë djegies së karburanteve, në gazrat e shkarkimeve të automjeteve dominojnë dioksidi i karbonit dhe posaçërisht monoksidi i karbonit, oksidet e azotit, aldehidet, përbërjet e squfurit, plumbi dhe përbërje të tjera, mes të cilave edhe benzo(a)piren, që ka veprim kancerogjen. Karakteristikë rënduese e ndotjes nga trafiku është se emetimi i saj ndodh në 30 – 50 cm nga toka, pra në zonën e frymëmarrjes, me ç’rast substancat ndotëse përzihen shpejt dhe në mënyrë të barabartë me ajrin dhe janë më të rrezikshme për fëmijët dhe grupet e tjera të ndjeshme të popullatës, sidomos për të sëmurët kronikë, thotë dr. Petar Ohanesjan, specialist në higjienë dhe ekologji shëndetësore nga Qendra për Shëndet Publik në Prilep.
Edhe OJQ-të në veprim
Organizatat joqeveritare vazhdimisht alarmojnë për gjendjen dramatike të ajrit ambiental, duke kërkuar dhe theksuar se ulja e ndotjes së ajrit duhet të ndodhë në të gjitha burimet në mënyrë paralele.
– Nga trafiku rrugor vijnë nga 11% deri në 14% të ndotjes urbane të përgjithshme, por në afërsi të rrugëve kjo shifër arrin deri në 34%. Automjetet lëshojnë më shumë se 200 përbërje kimike toksike, sasia e të cilave është më e madhe tek automjetet e vjetra. Këto automjete, veçanërisht ato me kilometrazh më të lartë, përveç emetimit të shtuar të grimcave PM që aktivizojnë rrugë pro-inflamatore dhe kancerogjene në organizëm, dhe emetimeve të tjera të dëmshme të gazeve, kanë emetim të shtuar të hidrokarbureve shumë toksike, ndër të cilat benzeni, tolueni, etilbenzeni, ksileni dhe benzo-a-pireni. Këto janë substanca gjenotoksike, kancerogjene dhe mutagjene, shumë të rrezikshme për shëndetin e njerëzve, sidomos për fëmijët, thotë Nevena Georgievska nga Iniciativa O2.
Organizatat joqeveritare kërkojnë kufizimin e importit të automjeteve, sipas shembullit të Bosnjë e Hercegovinës, Shqipërisë dhe Malit të Zi – automjetet e përdorura të mos jenë më të vjetra se 10 vjet dhe të mos jenë nën standardin Euro 5, ndërsa automjetet e reja të jenë nën standardin Euro 6.
Ato insistojnë për vendosjen e kontrolleve të rrepta dhe inspektimeve për kontrollin inspektues të trafikut urban, me qëllim të eliminimit të automjeteve më ndotëse nga rrugët, rikthimin e rolit të transportit publik si alternativë reale ndaj veturave, si dhe zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës për biçikleta dhe automjete elektrike.
Ndalesë për përdorimin e automjeteve të papërshtatshme
Profesoresha nga Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Teknike në Universitetin „Goce Dellçev“ në Shtip, Afrodita Zendelska, me rekomandime – autoritetet lokale të vendosin transport publik modern dhe të aksesueshëm, të kufizojnë trafikun në zonat qendrore, të stimulojnë përdorimin e biçikletave dhe ecjen, ndërsa autoritetet qendrore të vendosin kontrolle dhe ndalim për përdorimin e automjeteve të vjetra dhe të papërshtatshme.
Banka Botërore së fundmi ka vlerësuar se ajri i ndsotur në Maqedoni vret çdo vit rreth 1,600 persona. Veçanërisht shqetësuese është se një në nëntë raste vdekjeje tek fëmijët deri në një vjeç lidhet me ndotjen e ajrit!
Ekipi gazetaresk: Kristina Stojanovska, Svetlana Risteska, Aleksandra Maksimovska, Maja Terziova
Kjo storje tematike është përgatitur nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, dhe në kuadër të projektit “Trajtimi i ndotjes së ajrit” i implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në partneritet me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunat e Kavadarit, Kumanovës, Gostivarit, Strugës dhe Strumicës. Ky projekt është pjesë e Kornizës së Programit të UNDP-së, financuar nga Suedia. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e UNDP-së, Suedisë si donatore dhe partnerëve të tjerë në projekt.
