Takim me gazetarë dhe punonjës mediatik nga qendra rajonale e Shtipit

Angazhime të forta në krijimin e një Fondi për Pluralizmin Mediatik, trajnime dhe mbështetje për gazetarët dhe kameramanët në qendrat rajonale të SHGM-së, krijimi i një platforme të specializuar për përmbajtje interneti lidhur me dezinformimin, më shumë përfitime për anëtarët e SHGM-së, janë disa nga temat që u diskutuan në takimin e përfaqësuesve të SHGM-së me gazetarë dhe punonjës mediatikë nga qendra rajonale e Shtipit.
Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, në fjalimin e tij foli për protestën e gazetarëve të mbajtur më 17 nëntor, qëllimi i së cilës ishte të theksohet padrejtësia e shkaktuar nga aktgjykimi i fundit ndaj Laboratorit të Gazetarëve Hulumtues (IRL), me të cilin gjykata ia caktoi vetes rolin e përcaktimit se kujt i lejohet dhe kujt nuk i lejohet të jetë gazetar. Ai theksoi gjithashtu se gazetarët duhet të jenë në hap me kohën dhe trendet që kërkon epoka dixhitale, nëse duam të ruajmë nivelin profesional.
“Nuk duhet të lejojmë që të imponohet një praktikë e tillë, që gjyqtarët të thonë kush mund e kush nuk mund të jetë gazetar. Këtë vit ne jemi në vendin e 38-të në listën e “Reporterëve pa Kufij”, por kjo pamje mund të ndryshojë lehtësisht dhe ne mund të kthehemi prapa. Është e vërtetë që sot, ndryshe nga dikur, kemi më shumë liri të fjalës, por liria është vështirë të fitohet dhe mund të humbet lehtë. Prandaj duhet të jemi vigjilentë, të mos lejojmë ndikime politike dhe të punojmë në zgjidhjen e sfidave të financimit të mediave, veçanërisht në komunitetin lokal. Prej disa kohësh po punohet për një propozim për ligjvënësit, i cili është një fond për pluralizmin mediatik. Ky fond duhet të kontribuojë në krijimin e produkteve cilësore gazetareske. Njëkohësisht, SHGM vazhdimisht është duke punuar në ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve përmes organizimit të trajnimeve, ndërsa aktiviteti i fundit është T-AJM-Akademia e trajnimit për gazetarë” – tha Çadikovski.
Koordinatori i Qendrës rajonale të Shtipit, Toni Mihailov, u ndërlidh me fjalimin e Çadikovskit lidhur me aktivitetet që SHGM ka planifikuar për periudhën e ardhshme, si dhe përfitimet që gazetarët i marrin me anëtarësimin në SHGM:
“Dëshiroj të theksoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të angazhohemi edhe më shumë në aktivitetet, ose më mirë thënë në trajnimet e organizuara nga Shoqata, të cilat besoj se janë një përfitim i madh profesional për të gjithë ne që punojmë në media. Kemi edhe një shtesë në listën e përfitimeve që i përkasin këtij rajoni” – tha Mihailov.
Drejtori ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski, foli për ngjarjet që kanë shënuar periudhën e kaluar, si dhe për risitë që i tangojnë anëtarët e SHGM-së:
“Me 2 Nëntor e shënuam ditën ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve, me një ngjarje ku u shpallën tre prokurorë të posaçëm publik për rajonin e Apelit Tetovë, Manastir dhe Shtip. Besoj se ky është një hap i rëndësishëm përpara në përmirësimin e situatës së gazetarëve përsa i përket sigurisë së tyre. Për anëtarët tanë kemi ndihmë psikologjike dhe ligjore falas. Sa i përket ligjeve, aktualisht është duke u përgatitur një ligj i ri për media, ku ka një shtesë në seksionin e mediave online, respektivisht do të ketë një rregullim të butë në këtë fushë”, – theksoi Sekullovski.
Në fund, kryetari i Këshillit të Nderit në SHGM, Sashe Dimovski, foli për punën e përbërjes së re, dhe njëkohësisht apeloi për vigjilencë më të madhe në publikimin e shkrimeve gazetareske, si dhe në transmetimin e njoftimeve komerciale nga sektori i biznesit:
“Në muajt e kaluar, pasi ka funksionuar përbërja e re e Këshillit të Nderit, kemi pasur një numër vërtet të lartë ankesash, një pjesë e madhe e të cilave iu referuan edhe postimeve në rrjetin social FB. Në këtë drejtim, në mbledhjen e fundit morëm një vendim të ri ku vendosëm që këshilli të mos veprojë për ankesat që lidhen me postimet në FB në profilet personale, por do të veprojë për ankesat ku FB përdoret si medium. Dëshiroj gjithashtu të bëj thirrje për vigjilencë më të madhe kur publikohen tekste, veçanërisht tekste PR komerciale, sepse kjo krijon bazë për përjashtim nga anëtarësimi nëse nuk respektohet në mënyrë konsekuente Kodi i gazetarëve”, tha Dimovski.
