SPGM dhe SHGM mbështesin gazetarët e Utrinskit

Organizatat e gazetarëve sot në konferencë për mediat të organizuar në Klubin e Gazetarëve u solidarizuan publikisht me kolegët e gazetës ditore “Utrinski vesnik”, të cilët kanë marrë ofertë të pahijshme nga menaxhmenti i Media Print Maqedoni që të përzënë nga puna dhjetëra gazetarë, ose në të kundërtën do të falimentonin gazetën. Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e pavarur e gazetarëve të Maqedonisë kërkuan nga Menaxhmenti i MPM që të heq dorë nga ideja e pushimit nga puna të gazetarëve dhe të ulet, në mënyrë serioze të bisedojë me sindikatin për realizimin e të drejtave të puntorëve. Kryetarët e SPGM-së dhe SHGM-së Tamara Çausidis dhe Naser Selmani iu bënë thirrje gazetarëve që të tregojnë më shumë solidaritet me kolegët e gazetës “Utrinski” dhe ti mbështesin aktivitetet e ardhshme të esnafit kundër shkarkimeve të reja në MPM dhe për pagesa të rregullta të honorarëve të korrespondentëve, por edhe për pagesën e rrogave shtesë për gazetarët e përjashtuar.
Çausidis tha se gazetarët nuk janë fajtor për rezultatet negative financiare të kompanisë, por janë menaxherët të cilët mossuksesin e tyre e zgjidhin nëpërmjet uljes së rrogave dhe të largimit nga puna të gazetarëve. “Rënia e tirazhit të gazetave më së shumti është shkaktuar si pasojë e qasjes servile të pronarëve ndaj pushtetit, gjë që prodhon gazetë jocilësore”, tha Çausidis. Ajo e akuzoi menaxhmentin e kompanisë për mungesë respekti të kontratave të deritanishme me sindikatin. “I zvogëluan rrogat që të mos përjashtojnë një kohë të gjatë. Rrogat u zvogëlun, u bënë edhe përjashtime të reja nga puna. Vetëm nga gazeta “Vest” u përjashtuan 14 gazetarëve eminent të cilëve nuk u është paguar paga shtesë, ndërsa dhjetëra korrespodentëve nga e gjithë Maqedonia nuk u është paguar honorari”, theksoi Çausidis.
Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani dha mbështetje për përpjekjet e SPGM-së në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve të MPM dhe fuqishëm u solidarizua me kërkesat e kolegëve të gazetës “Utrinski” Ai e rikujtoi amanetin e themeluesit të gazetës amerikane me renome “Nju Jork Tajms”, Henri Rejmond, i cili në vitin 1851 u ka thënë gazetarëve që nuk guxojnë të lejojnë që gazeta e tyre të shndërrohet në pamflet zgjedhor ose të jetë mjet ose rob i ndonjë partie. “Atë që Rejmondi e kishte të qartë në vitin 1851, nuk e kanë të qartë pronarët e MPM-së Sërgjan Kerim dhe Orce Kamçev në vitin 2016. Cili është dallimi mes themeluesit të “Nju Jork Tajms”-it dhe pronarëve të MPM-it. Rejmonds ishte demokrat dhe jetonte në një shtet demokratik, ndërsa Kerim dhe Kamçev nuk janë demokrat e as që jetojnë në një shtet demokratik. Ata janë prodhim i një modeli sovjetik diktature, i cili më pas u shndërrua në demokraci formale të pranishme në shtetin tonë dhe në rrethinë thuajse 30 vite pas rënies së bllokut socialist” , tha Selmani. Sipas tij, modeli sovjetik i demokracisë, i cili është futur në Maqedoni, mediat i trajton si makineri propaganduese për promovimin e interesave të kreut të shtetit, e jo për informimin e qytetarëve.
Gazetari i gazetës “Utrinski” Lubisha Stankoviç rikujtoi se problemet e gazetës datojnë prej vitit 2011 dhe se prej atëherë gazetarët janë në presion të vazhdueshëm. “Por, qëndrimi i “Utrinskit” është se askush nuk guxon të përjashtohet nga puna dhe menaxhmenti si të donë le të ballafaqohet me këtë”, tha Stankoviç.
SHGM, Nëntor 2016, Shkup