SLAPP paditë – kërcënim për demokracinë, përgjigjja është njohuria dhe solidariteti

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), në partneritet me Këshillin e Evropës përmes projektit PRO-FREKS dhe T-AJM, nga 21 deri më 23 gusht 2025 në Mavrovë organizoi një trajnim treditor për SLAPP padi, i dedikuar për gazetarët dhe avokatët.

Trajnimi është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të SHGM-së dhe Këshillit të Evropës për të përmirësuar njohuritë dhe kapacitetet e gazetarëve dhe avokatëve që punojnë me çështje të fyerjes dhe shpifjes, me qëllim që të njohin, parandalojnë dhe të reagojnë në mënyrë efektive ndaj padive abuzive kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), të cilat shpesh përdoren si mjet për frikësim dhe heshtje të gazetarisë kritike.

Në hapjen e trajnimit, kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, theksoi:
“Gazetarët janë nën presion të vazhdueshëm nga forma të ndryshme të frikësimit dhe ngacmimit ligjor. SLAPP paditë nuk janë vetëm një betejë ligjore – ato janë sulm ndaj së drejtës së publikut për t’u informuar. Prandaj, ky trajnim për të forcuar kolegët tanë dhe për të ndërtuar solidaritet mes komunitetit gazetaresk dhe ekspertëve juridikë që i mbrojnë është kyç .”
Në fjalën e saj përshëndetëse, Aleksandra Bogdanovska, udhëheqëse e projektit nga Zyra e Këshillit të Evropës në Shkup, shtoi:
“Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian mbeten të përkushtuar në mbështetjen e lirisë së shprehjes dhe gazetarisë së pavarur në Maqedoninë e Veriut. SLAPP paditë paraqesin kërcënim për proceset demokratike dhe të drejtën e informimit, ndaj është veçanërisht e rëndësishme të punohet me gazetarët dhe avokatët në ndërtimin e njohurive dhe strategjive për t’u përballur me këto abuzime.”

Në kuadër të programit treditor, 22 pjesëmarrës – gazetarë dhe avokatë – patën mundësi të njihen me standardet ndërkombëtare, praktikën gjyqësore vendore dhe evropiane, si dhe me ushtrime praktike për njohjen dhe kundërshtimin e SLAPP padive. Përmes diskutimeve interaktive, studimeve të rasteve dhe shkëmbimit të përvojave nga avokatët me përvojë Llazar Sandev, Ivan Breshkovski, si dhe drejtori i SHGM-së Dragan Sekullovski, pjesëmarrësit ndërtuan strategji konkrete për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit.

Me këtë trajnim, SHGM-ja e vazhdon angazhimin e saj për të qenë mbështetje e fortë për komunitetin gazetaresk dhe për të ofruar mekanizma ligjorë, praktikë dhe solidarë për mbrojtjen e profesionit nga abuzimet dhe presionet.
Trajnimi është realizuar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Akademia e Trajnimit për gazetarë dhe punonjës mediatikë – T-AJM”. Përmbajtja e trajnimit është përgjegjësi ekskluzive e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe domosdoshmërisht nuk pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.
