S’ka etikë profesionale në media të robëruara

Fondacioni Metamorfozis të mërkurën, më 31 janar, në Shkup, organizoi konferencë vjetore e-shoqëria.mk në kuadër të projektit për Verifikimin e fakteve në media, të financuar nga USAID. Në konferencë u bisedua për alfabetizmin mediatik dhe u prezantua Përmbledhje leksionesh gazetareske.
Në panelin kushtuar promovimit të gazetarisë etike mori pjesë edhe kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, i cili mbajti fjalim kushtuar lirisë dhe etikës së gazetarisë.
Në vazhdim e keni tekstin integral të fjalimit të kryetarit të SHGM-së.
Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashur kolegë
Falënderoj drejtuesit e Metamorfozisit për ftesën që më kanë bërë për tiu drejtuar këtij auditori të çmuar.
Sot si gazetar dua të flas rreth një dileme dhe një paradoksi në gazetarinë e Maqedonisë.
Si gazetar, gjithmonë më ka përndjekur dilema nëse është e mundur të ketë gazetari profesionale në një shtet jo të lirë, ku liria e shprehjes është vetëm një premtim i papërmbushur.
Unë nuk besoj se mund të ketë gazetari profesionale, të tillë siç e njohim në vendet e lira, siç janë anëtaret e vjetra të BE-së dhe SHBA, në vendet jo të lira siç është Maqedonia dhe pjesa dërmuese e vendeve të Ballkanit.
Të besoni se në vend jo të lire mund të flisni për etikë në gazetari, është e njëjtë sikur të besoni se nga rëra mund të ndërtoni rrokaqiej.
Etika gazetareske ka kuptim vetëm në një shtet ku ekziston liria e mediave, ndërsa të tilla janë vetëm vendet me demokraci të mirëfilltë. Vetëm njerëzit e lirë mund të thirren në përgjegjësi për papërgjegjësinë e tyre eventuale.
Nuk ka media të lira atje ku nuk ka institucione të mirëfillta demokratike, parlament demokratik, qeveri demokratike, gjyqësi të pavarur.
Ajo pak gazetari që ekziston në vende jo të lira, më shumë i ngjanë një aktivizmi qytetar dhe rezistence ndaj regjimit, se sa që përfaqëson misionin autentik të gazetarëve në vendet e lira.
Ata pak media të pa pushtuara mbijetojnë vetëm falë gazetarëve të cilët me këmbëngulje refuzojnë të heqin dorë nga profesioni i tyre dhe falë solidaritetit të donatorëve të huaj. Paramendoni se si do të dukej hapësira mediatike në Maqedoni pa mediat që në një apo mënyrë tjetër mbijetojnë me ndihmën e donatorëve të huaj?
Nëse është i saktë konstatimi se nuk të ketë etikë gazetareske në media jo të lira, atëherë logjikisht shtrohet pyetja, pse SHGM-ja e promovon sistemin e vetërregullimit në media jo të lira?
Këmbëngulim për këtë sistem sepse refuzojmë që vullnetarisht të heqim dorë aq lehtë nga liria jonë dhe nuk dëshirojmë që politika edhe formalisht të formësojë profesionin tonë.
Përveç asaj, përmes vetërregullimit dëshirojmë të lëmë gjurmë për gjeneratat e ardhshme për kohërat më të zeza të gazetarisë në Maqedoni, që të mos lejojnë kjo tu përsëritet ndonjëherë. Gjeneratat e ardhshme duhet patjetër të kenë gjurmë të qartë për keqbërësit në gazetarinë e Maqedonisë dhe për ata gazetarë që kanë kundërshtuar tentativat për instrumentalizimin e mediave për interesa politike dhe ekonomike. Dhe mendoj se këto dy qëllime i kemi arritur.
Para vitit të ri në SHGM angazhuam dy kolegë tanë të shkruajnë përpilojnë një analizë lidhur me raportimin etik të mediave në vendet evropiane dhe në Maqedoni. Të dhënat për analizën në Maqedoni u morën nga puna e Këshillit të Nderit në SHGM, sidomos për periudhën nga vitit 2007 deri në vitin 2010, kur u soll numri më i madh i vendimeve të Këshillit për shkeljen e Kodit të etikës nga gazetarët.
Analiza konfirmoi se rrënimi i profesionit të gazetarisë është pasojë e degradimit të ambientit demokratik në Maqedoni. Në këto vendime është dhënë diagnozë e saktë për karakterin e shkeljeve të Kodit Etik nga mediat dhe si parlajmërim për atë që na pret në të ardhmen. Është çështje tjetër që askush nuk i ka kuptuar seriozisht këto paralajmërime.
Këshilli qysh në vitin 2007 dhe 2008 paralajmëronte për dukurinë e shfrytëzimit të mediave për luftë politike, për shfaqjen e dukurisë së propagandës në media, për gjuhën e urrejtjes, për fjalorin diskriminues në media.
Dhe krejtësisht në fund, pas gjithçka, dua të besoj se më e keqja është lënë pas nesh, por kjo nuk do të thotë se krijimi i mediave të lira dhe profesionale do të jetë punë e lehtë.
Me rëndësi është që kemi diagnozë të qartë për mediat e robëruara, kemi dhënë terapi konkrete se si ta kthejmë rolin e vërtetë të gazetarëve në një shoqëri të lirë, të informojnë saktë dhe me kohë, të kërkojnë llogaridhënie nga autoritetet dhe të hapin debat për çështje të rëndësishme me interes publik. Deri atëherë, do të duhet të vazhdojmë të flasim, me qëllim që të mos shuhet ideja për liri të fjalës dhe për media të lira dhe profesionale.
Ju faleminderit për vëmendjen!