Shkëmbimi i përvojave të gazetarëve nga Ballkani Perëndimor gjatë proceseve zgjedhore

Anëtarët e Seksionit të Gazetarëve të Rinj në SHGM së bashku me përfaqësuesit e shoqatave të gazetarëve nga Ballkani Perëndimor mbajtën një takim pune më 4 prill, qëllimi i të cilit ishte të ofronte një forum për shkëmbimin e përvojave në kuadër të sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë periudhës zgjedhore. Duke pasur parasysh faktin se Maqedonia është në periudhë parazgjedhore, është e një rëndësie të veçantë të theksohet vigjilenca dhe të përmenden rreziqet e mundshme që mund të shfaqen gjatë fushatës politike dhe qëndrimi i politikanëve, aktivistëve ndaj gazetarëve dhe mediave. Ky event ishte gjithashtu një mundësi për rrjetëzimin e gazetarëve të rinj dhe punonjësve të medias nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët ndanë sfidat me të cilat përballen si dhe praktikat më të mira në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve. Tre gazetarë të mediave maqedonase hapën diskutimin. David Ilievski, gazetar hulumtues nga IRL, foli për sfidat me të cilat ballafaqohen gazetarët gjatë raportimit, para dhe gjatë zgjedhjeve, veçanërisht për tema me interes të lartë publik që janë jashtë agjendës së përditshme të politikanëve gjatë një fushate, por që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në procesit zgjedhor. “Kur finalizonim një nga storjet për të cilat po punonim, duhej të merrej një vendim nëse do ta publikonim para zgjedhjeve apo do të prisnim derisa të përfundonin. Pse e them këtë në kontekst të sigurisë së gazetarëve.. Sepse mendoj se problemi me të cilin përballemi është nëse do të shfrytezohemi si municion në fushatën elektorale të politikanëve, gjë që mund të jetë pengesë për sa i përket integritetit dhe imazhit gazetaresk” – tha Ilievski.
Tamara Diçovska, gazetare nga TV Sitel, diskutoi për rreziqet e mundshme që mund të shfaqen gjatë fushatës politike dhe qëndrimin e politikanëve ndaj gazetarëve. “Si i trajtojnë politikanët gazetarët apo si etrajtojnë ata palën e kundërt. Mediat duhet të përfaqësojnë të gjithë kandidatët në mënyrë të barabartë. Si duhet bërë? Një pjesë e madhe e mediave kanë të preferuarit e tyre, pra nuk u lënë hapësirë të gjithë kandidatëve në mënyrë të barabartë. Vetëm si shembull – ka pasur një debat politik në një nga televizionet dhe e kanë ftuar atë kandidatin, kanë diskutuar një orë për një keqkuptim të caktuar që kanë pasur disa vite më parë, dmth kandidatit/es nuk i është lënë hapësirë të prezantojë programin , ose më mirë çfarë do të bënte nëse ai/ajo do të ishte president/e. Sipas meje nuk është aspak etike, por kjo ka qenë zgjedhje e gazetarit në atë kohë” – tha Diçovska.

Adrian Kerimi, gazetar në TV Alsat foli për propozimet që synojnë të përmirësojnë sigurinë e gazetarëve në monitorimin e procesit zgjedhor. “Duhet të filtrojmë komunitetin që kemi si gazetarë. Për shembull, për këto zgjedhje 250 portale kanë marrë mjete publike nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Nuk dimë asgjë për rreth 200 prej tyre, nuk kanë gjurmë, nuk kanë përgjegjësi për pasqyrimin e ngjarjeve, nuk kanë kryeredaktorë dhe gazetarë, kopjojnë dhe shpërndajnë lajme nga televizionet. Pra duhet filtruar së pari komuniteti, publiku duhet të dijë kush është gazetar e kush jo”, tha Kerimi.
Nga shoqatat ballkanike të gazetarëve, anëtarë të rrjetit Safe Journalist folën Monika Kutri, hulumtuese në Shoqatën e Gazetarëve të Kroacisë, Tamara Filipoviq – sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, Getoarbe Muliqi – kryetare e Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, Brankica Smiljaniç – zyrtare për komunikim në Shoqatën e Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Drazhen Durashkoviq – koordinator programi në Unionin e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik të Malit të Zi.

Secili prej tyre ndau përvojën e gazetarëve dhe mediave gjatë proceseve zgjedhore në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas vijoi një diskutim i gjatë mbi temën ku u shkëmbyen përvoja dhe rekomandime mes kolegëve për këtë temë. Të gjithë ranë dakord se është një sfidë e vërtetë të raportosh gjatë një fushate zgjedhore, veçanërisht në vende si i yni ku sulmohen gazetarët, veçanërisht kur ata hetojnë një temë të ndjeshme që përfshin aktivitete të paligjshme.
U theksua se për çdo sulm është e nevojshme të raportohet në institucionet kompetente, në mënyrë që më pas të procedohet deri në fund. Takimi i punës i përfaqësuesve të Seksionit të Gazetarëve të Rinj të SHGM – së, aktivistëve nga Rrjeti Rajonal i Gazetarëve të Ballkanit Perëndimor Safe Journalists Network në kuadër të projektit “Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së mediave si shtylla të demokracisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut “.
