Shkelje e rëndë e të drejtave të gazetares Mirosllava Simonovska: Thirrje për hetim të menjëhershëm

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave (SPGPM) shprehin shqetësim të thellë për shkeljen e fundit të të drejtave themelore të anëtares sonë, gazetares Mirosllava Simonovska, për shkak të incizimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të një videoje, ku gjoja ajo merr një dokument.
Kjo video, e dërguar në një televizion kombëtar nga kreu i Prokurorisë së Lartë Publike, Mustafa Hajrullahi, ngre çështje serioze mbi privatësinë, ndjekjen e paligjshme dhe të drejtat e gazetarëve në Maqedoni.
Publikimi i videos së inçizuar të gazetares Mirosllava Simonovska në mënyrë të paligjshme, cenon privatësinë dhe të drejtat e saj themelore, pavarësisht se materiali i publikuar ka identitetin e mbrojtur. Çdo gazetar ka të drejtë të lëvizë lirshëm dhe të komunikojë me qytetarët pa frikën e ndjekjes së paligjshme ose shkeljes së privatësisë.
Ky veprim, i cili besojmë se synon të frikësojë dhe diskreditojë Mirosllava Simonovskan për shkak të punës së saj kritike, veçanërisht në hetimin e Prokurorit të Lartë Publik, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së gazetarisë dhe një kërcënim për të gjithë gazetarët profesionistë.
Kjo krijon një rrezik për autocensurë dhe minon rolin e rëndësishëm të mediave në mbikëqyrjen e pushtetit, veçanërisht pasi nuk është një rast i izoluar. SHGM dhe SPGMP kanë marrë sot në mëngjes ankesa nga gazetare të tjera që raportojnë presione të ndjeshme për tema të lidhura me punën e Prokurorisë së Lartë Publike.
Informojmë se sot në mëngjes gazetarja Mirosllava Simonovska ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup për inçizimin e paautorizuar nga një person zyrtar.
Kërkojmë që Prokuroria Themelore Publike të ndërmarrë një hetim të plotë dhe të menjëhershëm për këtë rast dhe u bëjmë thirrje institucioneve kompetente të mbrojnë të drejtat dhe sigurinë e gazetarëve.
SHGM dhe SPGPM do të njoftojnë organizatat ndërkombëtare për mbështetjen e mediave për këtë shkelje skandaloze të të drejtave të gazetarëve, e cila mund të ketë një efekt frikësues për lirinë e medias në Maqedoni. Kjo rrezikon seriozisht lirinë e gazetarëve, duke frikësuar jo vetëm ata, por edhe të gjithë qytetarët që mund të shërbejnë si burime për të ekspozuar keqpërdorimet në institucionet shtetërore.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje mediave që rastet me materiale të siguruara në mënyrë të dyshimtë t’i trajtojnë me kujdes të veçantë dhe të respektojnë rreptësisht standardet etike.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)
Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM)
