SHGM: Thirrjet e Ministrisë së Shëndetësisë janë në kufi të censurës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) me shqetësim po e ndjek komunikimin publik të Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin drejtohen thirrje ndaj mediave që për nga përmbajtja janë kufizuese dhe përbëjnë përpjekje për vendosjen e një praktike të keqe institucionale në marrëdhëniet me mediat.
Si SHGM, e dënojmë përpjekjen e Ministrisë për të imponuar rregulla praktike se si duhet të raportojnë mediat, veçanërisht kur bëhet fjalë për ngjarje të ndjeshme me interes publik. Udhëzime të tilla, ndonëse formalisht paraqiten si “thirrje”, në thelb janë një formë presioni institucional dhe censure të mundshme, gjë që bie ndesh me parimet themelore demokratike dhe të drejtën për liri të shprehjes.
Kujtojmë se neni 16 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut garanton lirinë e informimit publik dhe ndalon censurën, ndërsa çështjet që lidhen me etikën dhe profesionalizmin gazetaresk i përkasin ekskluzivisht sferës së vetërregullimit. Për këto çështje ekzistojnë Këshilli për Etikë në Media dhe Gjykata e Nderit pranë SHGM-së, të cilët janë të vetmit kompetentë për të vlerësuar shkeljet eventuale të normave etike.
U bëjmë thirrje gazetarëve dhe punonjësve të mediave që të vazhdojnë të raportojnë me profesionalizëm, etikë dhe ndjeshmëri, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje tragjike dhe grupe të ndjeshme. Por njëkohësisht, theksojmë se çdo përpjekje për kufizim institucional të qasjes në informacion dhe mënyrës së raportimit është e papranueshme dhe e dëmshme për interesin publik.
SHGM mbetet e hapur për dialog me institucionet me qëllim të përmirësimit të transparencës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, por qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të pavarësisë redaktoriale, lirisë së mediave dhe të drejtës së publikut për t’u informuar – si vlera themelore të çdo shoqërie demokratike.
