SHGM: Sulmi i pestë me botë ndaj “Sloboden Peçat”, censurë pa censurues

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër sulmin e ri me botë ndaj profileve në Instagram të “Sloboden Peçat”, të ndodhur më 13 tetor 2026. Sipas redaksisë, sulmi zhvillohet sipas të njëjtit model si sulmet e mëparshme. Një numër i madh profilesh të rreme, kryesisht nga jashtë vendit, brenda një kohe të shkurtër reagojnë masivisht ndaj publikimeve të mediumit. Kjo nuk duket si një aktivitet i rastësishëm apo i zakonshëm në rrjetet sociale, por si një presion i koordinuar ndaj mediumit.
Kjo është vala e pestë e sulmeve të tilla ndaj “Sloboden Peçat” brenda më pak se një viti. Sulmi i parë ndodhi më 6 nëntor 2025, pas të cilit mediumi për herë të parë e bëri privat profilin e tij. Më pas pasuan sulmet e 25 dhjetorit 2025 dhe 3 janarit 2026. Më 5 dhe 7 prill 2026, të dy profilet e mediumit ishin sërish objektiv i një aktiviteti të koordinuar, me rreth 10.000 pëlqime të rreme brenda vetëm 15 deri në 20 minutash, mbi 500 ndjekës të rremë brenda pesë minutash dhe më pas mbi 10.000 kërkesa për ndjekje.
Pasojat e sulmeve të tilla nuk janë vetëm problem teknik. Kur mijëra profile të rreme fillojnë brenda pak minutash të ndjekin ose të reagojnë masivisht ndaj përmbajtjeve të një mediumi, algoritmet e platformës mund ta identifikojnë këtë aktivitet si të dyshimtë. Në Serbi tashmë janë regjistruar raste kur mediumet janë pezulluar përkohësisht pas sulmeve të tilla të koordinuara me profile të rreme.
Problemi qëndron në faktin se redaksia ka mundësi shumë të kufizuara për t’u mbrojtur vetë. Kalimi i profilit në privat mund ta zvogëlojë përkohësisht intensitetin e sulmit, por njëkohësisht kufizon qasjen e lexuesve të rinj në përmbajtjet e mediumit. Në vend që gazetarët të merren me punën e tyre, redaksia harxhon kohë për dokumentimin e sulmit, verifikimin e profileve dhe komunikimin me platformën. Në fund, pasojat i ndien edhe publiku, pasi përmbajtjet e mediumit arrijnë më me vështirësi te lexuesit.
Me ndihmën juridike të SHGM-së, “Sloboden Peçat” ka paraqitur kallëzime në MPB në nëntor 2025 dhe në prill 2026, ndërsa pas sulmit të fundit po përgatitet një kallëzim i ri. SHGM u bën thirrje MPB-së dhe Prokurorisë Themelore Publike që t’i shqyrtojnë të gjitha sulmet e deritanishme si pjesë të të njëjtit model, të sigurojnë të dhënat e nevojshme nga “Meta” dhe të përcaktojnë nëse pas tyre qëndron një veprimtari e organizuar dhe kush është përgjegjës për të.
Rasti është raportuar edhe te “Meta”, si dhe përmes organizatës ndërkombëtare Access Now, e cila ofron mbështetje në rastet e sulmeve digjitale.
Sulmet ndaj “Sloboden Peçat” janë regjistruar edhe në bazën e të dhënave të rrjetit SafeJournalists.
Për redaksitë që mund të përballen me probleme të ngjashme, SHGM ka publikuar edhe një udhëzues praktik për veprim në rastet e sulmeve të koordinuara digjitale:
Redaksisë i janë dhënë gjithashtu udhëzime konkrete për dokumentimin e çdo sulmi të ri, ruajtjen e provave dhe raportimin e aktiviteteve të dyshimta, me qëllim që profilet të mbeten publike dhe të qasshme për lexuesit për aq kohë sa të jetë e mundur. Kjo është mënyra e vetme që publiku të vazhdojë të jetë i informuar. Nëse sulmet me botë vazhdojnë, efekti përfundimtar do të jetë censurë, pa pasur formalisht një censurues që fshin qëllimisht përmbajtjet gazetareske.
Në këtë drejtim, presim edhe nga “Meta” që të reagojë më seriozisht ndaj rasteve të tilla, të identifikojë dhe të largojë rrjetet e koordinuara të profileve të rreme, si dhe të sigurojë një mekanizëm të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë mbështetjeje për mediumet që janë objektiv i këtyre sulmeve.
