ShGM shënoi jubileun e 70-të

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë më 19 shkurt shënoi jubileun e 70 vjetorit të themelimit te saj.
Presidenti i SHGM-së, Naser Selmani në fjalimin hapës foli për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen gazetarët në Maqedoni. Ai vuri në dukje se për fat të keq gazetaria dhe media gjatë viteve ka kaluar llojlloj momente të vështira, dhe jo gjithmonë ka qenë e lehtë për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e medias. Ai theksoi se ndjekja e standardeve të Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës janë e vetmja rrugë për lirinë e medias.
Të pranishmëve iu drejtua ambasadorja Sybille Suter Tejada nga Ambasada Zvicerane në Shkup dhe përfaqësuese e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim. Fjalim të shkurtër mbajti edhe ambasadori Wouter Plomp, nga Ambasada e Holandës në Shkup dhe përfaqësues i shtetit anëtar i cili aktualisht kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian.
Si folës morrën pjesë edhe veteranët e gazetarisë në Maqedoni edhe atë Ivko Pangovski i cili ka qenë present në formimin e shoqatës së gazetarëve, dhe Menduh Ajdini i cili në vitet e shtatëdhjetë ishte nënkryetar i SHGM-së.
Tradicionalisht në këtë ngjarje u nda çmimi gazetaresk “Krste Petkov Misirkov” për vepër jetësore gazetarit Atanas Kostovski. Ai është gazetar me përvojë pesëdhjetë e tetë vjeçare, i njohur si ish komentator dhe redaktor i redaksisë sportive në RTVM i cili ka lënë gjurmë në zhvillimin e gazetarisë sportive.
Çmimin gazetaresk “Jashar Erebara” për arritje njëvjeçare për gazetari hulumtuese e fituan gazetarja Mençe Atanasova Toçi nga NOVA TV, dhe gazetarja Svetllana Darudova, nga e përditshmja Dnevnik.
Në këtë jubilej morrën pjesë personalitete të shquar si gazetarë, redaktorë, pronarë të mediave, bashkëpunëtorët tanë nga organizatat partnere dhe ambasadorë me ekselencë.