SHGM shënoi 71 vjetorin e ekzistimit

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë me ceremoni solemne të mërkurën në Klubin e Gazetarëve shënoi 71 vjetorin e ekzistimit. Në ceremoni, fjalë rasti pati kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, i cili tha se përvjetoret shërbejnë për të përkujtuar misionin e shoqatës, të bëhet rikaputilimi i të arriturave dhe të trasohet rruga për të ardhmen. Selmani theksoi se mision themelor i SHGM-së është mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe promovimi i gazetarisë profesionale.
“Vendimi i Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut është fitore e madhe për SHGM-në dhe për të gjithë gazetarët. Ky vendim është goditje e fuqishme ndaj praktikave autoritare të qeverisjes në Maqedoni dhe festim i lirisë dhe demokracisë. Ajo dëshmon se drejtësia është në anën tonë dhe se është më e fortë se dhuna. Tani është koha që institucionet të nxjerrin mësim dhe të tregojnë respekt më të madh ndaj lirisë së shprehjes, si e drejtë themelore e njeriut”, tha Selmani.
Ai premtoi se SHGM-ja do të vazhdojë të luftojë që liria e shprehjes të bëhet realitet në Maqedoni dhe shprehu gatishmërinë të bashkëpunojë me Qeverinë e ardhshme për zgjidhjen e problemit me lirinë e mediave. “Shpresojmë se Qeveria e re do të ketë kapacitet demokratik dhe vullnet politik për reforma serioze në media, me qëllim që të kemi media më të lira dhe më të përgjegjshme, të cilat do të mund të luajnë rolin e rëndësishëm për funksionimin e një demokracie të pjekur”, nënvizoi Selmani.
Sipas tij, mënyra më e mirë për të promovuar gazetarinë profesionale është duke shpërblyer gazetarët e mirë, ndërsa njëkohësisht duke u distancuar nga ata që kanë harruar etikën gazetareske. “Suksesi i fituesve të sivjetëm të çmimeve është konfirmim se edhe në kohëra të vështira mund të shkruhen storje të mira hulumtuese dhe të bëhen fotografi të mira”, tha Selmani.
Në këtë event u ndanë edhe çmimet gazetareske për vepër jetësore “Kërste Petkov Misirkov” dhe për storje hulumtuese “Jashar Erebara”. Fitues i sivjetëm i çmimit për vepër jetësore është fotografi i portalit “Sakam da kazham” Gjorgji Liçovski, ndërsa për storje hulumtuese, gazetari i Prizma-s, Vllado Apostollov.
Fituesve, shpërblimet ua dorëzoi kryetarja e Komisionit për shpërblime, Gordana Duvnjak, e cila theksoi se në këtë konkurs, për shpërblimin e parë kishin aplikuar gjashtë gazetarë, ndërsa për çmimin e dytë në konkurencë kanë qenë dhjetë storje hulumtuese.
Duvnjak tha se Liçovski, si bard i fotoraportimit në Maqedoni, çmimin për vepër jetësore e ka fituar për shkak të volumit të begatë të krijimtarisë në 27 vite duke punuar në media të ndryshme të vendit dhe të huaja, ndërsa gazetari Apostollov është shpërblyer për tre storjet hulumtuese për pronën e Vlladimir Zdravevit, ish kryesues i Këshillit të Komunës Qendër, drejtor i MEPSO-s dhe anëtar aktual i Këshillit të drejtorëve të T-Home.
Përveç shpërblimeve, Komisioni ndau mirënjohje edhe gazetarit të televizionit Shenja, Mefail Ismaili, për storjen e deputetit të BDI-së, i cili nënshkruhet në listën e pjesëmarrjes në seancën e komisionit parlamentar, në emër të deputetëve të papranishëm.
Njëkohësisht, në këtë solemnitet u promovua edhe Klubi i Gazetarëve, i cili për anëtarët e SHGM-së për shërbimet në restaurant do të sigurojë lirim prej 30 për qind.
23 Shkurt, 2017
Shkup