SHGM: REFUZOHET EDHE NJË PADI E TË MAJTËS KUNDËR GAZETARËVE

Gjykata Themelore Civile Shkup, si gjykatë kontestimore e shkallës së parë, solli aktvendim me të cilin padinë e paditësit – Partia Politike “E MAJTA” kundër të paditurve Kompania për Media Digjitale Online Medija DOO Shkup dhe Predrag Petroviq, të refuzohet për shkak se është paraqitur me vonesë.
Ky vendim vjen pas padisë së parashtruar në gjykatë nga partia politike “E MAJTA” më 20.02.2021, në të cilën thuhet se media online “A1on.mk” më 07.12.2020 ka publikuar shkrimin me titull: “Apasiev hesht për paratë që i takojnë Të Majtës, nuk tregon nëse do të heqë dorë nga paratë në favor të klasës punëtore”.
Ndaj këtij teksti gazetaresk ka reaguar Partia Politike “E MAJTA” e cila ka paraqitur kërkesë për demant dhe i njëjti është publikuar nga ana e këtij mediumi. Të pakënaqur nga demanti, përfaqësuesit e Partisë Politike “E MAJTA” kanë ngritur padi kundër medias dhe kryeredaktorit, por gjykata ka vendosur që të refuzojë padinë e tillë si e vonuar, për arsye se Partia Politike “E MAJTA” nuk ka respektuar afatin ligjor që parasheh 30 ditë për të ngritur padi të tilla.
Për ndryshe, muajin e kaluar kryetari i Partisë Politike “E MAJTA”, Dimitar Apasiev e humbi procesin gjyqësor që e kishte iniciuar kundër koleges tonë Meri Jordanovska për një tekst të publikuar më parë. Ky lloj i padive shërbejnë për të shkaktuar frikë dhe shpenzime juridike ose thjesht për të lodhur të paditurit, në këtë rast gazetarët me qëllim për t’i demotivuar ata ose për të hequr dorë nga kritika publike.
Padi të tilla në kontekstin e Këshillit të Evropës njihen si padi strategjike për të parandaluar pjesëmarrjen publike (SLAPP). Këto padi, sidomos në rastet kur iniciohen nga politikanët dhe zyrtarët publikë, mund të shkaktojnë autocensurë tek gazetarët dhe në këtë mënyrë të cenojnë të drejtën e qytetarëve për informim.