SHGM: PTHP-ja dhe Këshilli Gjyqësor të përcaktojnë urgjentisht përgjegjësinë për moszbatimin e vendimit për mbrojtjen e gazetares

Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata Themelore Civile e Shkupit nuk e ka zbatuar vendimin me të cilin gazetares Natasha Stojanovska i ishte konstatuar shkelje e lirisë së shprehjes publike lidhur me ngjarjet në Kuvend më 27 prill 2017.
Stojanovska më herët, përmes përfaqësuesit të saj ligjor nga SHGM-ja, kërkoi mbrojtje gjyqësore për shkak se shteti nuk kishte siguruar mbrojtje të përshtatshme për të gjatë raportimit nga Kuvendi. Megjithatë, Gjykata Themelore Civile dhe Gjykata e Apelit nuk konstatuan shkelje të lirisë së saj të shprehjes, pas së cilës çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.
Ky rast përbën një praktikë të rëndësishme për mbrojtjen efektive të lirisë së shprehjes dhe informimit publik, të garantuara me nenin 16 të Kushtetutës.
Përgjegjësia tani është te Prokuroria Themelore Publike dhe Këshilli Gjyqësor. Presim që të dyja institucionet, pa vonesë, të veprojnë pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, të përcaktojnë përgjegjësinë dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, të shqiptohen sanksione përkatëse ndaj gjyqtarit që nuk e ka zbatuar vendimin përfundimtar dhe të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësia e gjyqësorit nënkupton edhe përgjegjësi dhe respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kur bëhet fjalë për një vendim me të cilin është konstatuar shkelje e një të drejte të garantuar me Kushtetutë të një gazetari, moszbatimi i tij nuk duhet të mbetet pa reagim institucional.
SHGM-ja do ta ndjekë me vëmendje veprimin e Prokurorisë Themelore Publike dhe Këshillit Gjyqësor, si dhe rezultatin e procedurave që do të pasojnë, për të cilat do ta informojë opinionin.
Rasti i Natasha Stojanovskës është një nga rastet e lidhura me ngjarjet në Kuvend më 27 prill 2017, kur gazetarët dhe punonjësit e medias u përballën me dhunë, kërcënime dhe pengim të kryerjes së detyrës së tyre profesionale, ndërsa qytetarëve iu pengua e drejta për informim publik.
Vitin e ardhshëm do të bëhen dhjetë vjet nga ngjarjet e 27 prillit 2017, ndërsa një pjesë e gazetarëve, të drejtat e të cilëve u shkelën atë ditë, ende nuk kanë një zgjidhje përfundimtare dhe efektive ligjore të rasteve të tyre. Është e papranueshme që, pothuajse një dekadë më vonë, gazetarët ende të presin mbrojtje të plotë institucionale dhe drejtësi.
SHGM-ja nuk do të heqë dorë nga këto raste. Ne vazhdojmë të ofrojmë ndihmë juridike falas dhe përfaqësim nga avokatët për gazetarët, të drejtat e të cilëve janë shkelur, me qëllim që drejtësia fillimisht të kërkohet para institucioneve dhe gjykatave vendase.
Nëse sistemi juridik vendas nuk siguron mbrojtje të përshtatshme dhe efektive, do të vazhdojmë të përdorim mekanizmat juridikë në dispozicion edhe para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Shkeljet e të drejtave të gazetarëve gjatë ngjarjeve të 27 prillit 2017 nuk duhet të mbeten pa zgjidhje ligjore.
Kalimi i kohës nuk duhet të çojë në mosndëshkim dhe as të zvogëlojë detyrimin e institucioneve për të siguruar mbrojtje efektive të gazetarëve dhe lirisë së shprehjes.
