SHGM: Përpjekje e papranueshme për diskreditim të një gazetareje nga funksionarë publikë

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) reagoi ndaj përpjekjeve për presion dhe diskreditim të koleges-korrespondentes së “Sakam da kazam” nga Manastiri, Zhaneta Zdravkovska, që vijnë nga funksionarë lokalë të lidhur me ndërmarrje publike në rajonin e Pellagonisë.
Funksionarët publikë, përmes postimeve në rrjetet sociale, përpiqen ta relativizojnë një tekst profesional gazetaresk me titull: “Humbësi Komunalja e Manastirit ka lidhur kontratë për blerje të ushqimit për qen në vlerë prej 57.000 euro për një vit”, duke e quajtur si “lajm të rremë” dhe duke e nxjerrë nga konteksti. Me këtë, në mënyrë të vetëdijshme sulmohet integriteti i gazetares dhe minohet besueshmëria e mediumit.
SHGM rikujton se nuk është detyrë e funksionarëve publikë të vlerësojnë nëse një medium është relevant apo nëse një përmbajtje gazetareske është e vërtetë. Kualifikime të tilla paraqesin presion të drejtpërdrejtë mbi lirinë e mediave dhe gazetarinë e pavarur.
Nëse kanë vërejtje për ndonjë përmbajtje mediatike, politikanët mund të parashtrojnë ankesë në organet përkatëse vetërregulluese, siç janë Këshilli i Nderit pranë SHGM-së apo Këshilli për Etikë në Media të Maqedonisë (KEMM).
Apelojmë te të gjithë funksionarët publikë dhe nëpunësit shtetërorë, veçanërisht ata në nivel lokal, që të përmbahen nga presionet dhe përpjekjet për diskreditim ndaj gazetarëve dhe në vend të kësaj të kontribuojnë në krijimin e një ambienti ku gazetaria e lirë dhe e përgjegjshme mund të funksionojë lirshëm në interes të publikut.
SHGM do të vazhdojë të mbrojë gazetarët dhe punonjësit mediatikë dhe të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për diskreditim, presion apo rrezikim të sigurisë dhe integritetit të tyre profesional.
