SHGM nënshkroi Kartën për përmirësimin e kushteve të punës të gazetarëve dhe punonjësve mediatik

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë sot mbështeti dhe nënshkroi Kartën për përmirësimin e kushteve të punës të gazetarëve dhe punonjësve mediatik, e iniciuar nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) e cila krijoi këtë dokument duke ndjekur udhëzimet e Federatës Evropiane të Gazetarëve.
Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski nënshkroi Kartën duke theksuar se gazetaria është një nga profesionet më të vështira, më stresuese dhe më të përgjegjshme. “Pa gazetarë cilësor dhe pa gazetari cilësore nuk mund të kemi një publikë të informuar mirë. Kjo na rikthen tek kushtet e punës së gazetarëve sepse nuk mund të kemi një publikë të informuar mirë nëse gazetarët punojnë në kushte të vështira dhe të pasigurta”, tha ai, duke shtuar se Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë gjithmonë do të jetë aty për të mbështetur zbatimin e plotë të Kartës. “Ne madje do të ndihmojmë në zgjerimin dhe përmirësimin e saj sepse gazetaria është një profesion mjaft dinamik dhe gjërat ndryshojnë me shpejtësi në këtë sektor,” tha Çadikovski.
Kryetari Çadikovski përshëndeti të dy draft-kontratat që u prezantuan në të njëjtën ngjarje, në lidhje me punësimin në mediat online. Ai tha se do të zotohet të bindë mediat që janë pjesë e Regjistrit të online mediave profesionale që t’i marrin këto draft-kontrata dhe t’i përmirësojnë kushtet e punës së punonjësve të tyre. “Në të njëjtën kohë, u bëj thirrje edhe mediave tradicionale që t’i marrin në konsideratë të dy kontratat dhe të marrin gjëra që mund të përfshihen në kontratat e tyre ekzistuese, pasi që ky mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të dinjitetit të profesionit të gazetarisë dhe paraqet një ndjekje e tendencave evropiane për të rregulluar marrëdhëniet e punës për gazetarët,” tha Çadikovski.