SHGM ndau çmimet gazetareske vjetore

Me rastin e 76 vjetorit nga themelimi i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), sot u ndanë çmimet gazetareske vjetore të SHGM-së.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski tha se këtë vit ka pasur një numër vërtet të madh të aplikuesve për çmimet e SHGM-së, madje më i madhi deri më tani. “Prandaj komisioni u përball me një sfidë të madhe në përzgjedhjen e fituesve. Katër kolegë u shpërblyen dhe vërtet besoj se pas një vëzhgimi dhe diskutimi të gjatë rreth aplikimeve u bë zgjedhja e duhur. Të gjithë fituesve iu uroj çmimet e fituara, ndërsa njëkohësisht dua t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në konkurs dhe t’i përgëzoj për artikujt e tyre”, tha Çadikovski.

Këtë vit, çmimin për vepër jetësore “Krste Petkov Misirkov” e fitoi gazetarja Jadranka Kostova, e cila është e njohur si gazetare e shkëlqyeshme dhe me përvojë, dhe redaktore e gazetës “Fokus”. Aleksandar Çomovski si kryetar i komisionit për përzgjedhjen e çmimeve për vitin 2021 për Kostovën tha se gjatë tërë karrierës së saj është udhëhequr nga premisa se kritika duhet të drejtohet ndaj qeverisë, gjegjësisht ndaj atyre që mbajnë pushtetin dhe pushteti i korrupton. “Jadranka është një nga gazetaret dhe emrat më të mirë në mediat maqedonase, duke promovuar vlerat demokratike dhe duke ushtruar dhe respektuar standardet gazetareske, ajo la gjurmë në hapësirën mediatike në mënyrën e saj origjinale krijuese”, tha Çomovski.
Në fjalimin e saj për të pranishmit, Kostova tha: “Këtë çmim e përjetoj si një çmim të dyfishtë, për të qenë në shërbim të interesit publik dhe për të qenë kontrollues i çdo qeverie. Në karrierën time ka qenë veçanërisht e rëndësishme të kem një ekip të mirë dhe një redaksi të mirë, ndaj suksesi është i pashmangshëm”, tha Kostova.

Çmimi “Jashar Erebara” për gazetari hulumtuese, në konkurrencë të 27 gazetarëve që aplikuan, iu nda gazetares nga platforma digjitale SDK.mk – Sonja Kolevska Delevska për serinë e teksteve që regjistrojnë në mënyrë kronologjike shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të një djali 19-vjeçar. Storja ishte e titulluar “Maturanti Toni Sali vdiq pas një beteje 15-vjeçare, duke mos arritur të fitojë betejën me shtetin për të marrë dokumente personale”. Në fjalimin e saj, kolegia e saj Delevska falënderoi redaksinë e SDK.mk për mbështetjen, por edhe për ndjenjën e zhvilluar për të njohur histori të tilla dhe për t’u dhënë përparësi. “Temat e të drejtave të njeriut janë bërë brendi ynë i njohur dhe ne do të vazhdojmë në atë drejtim, veçanërisht për të adresuar problemet e njerëzve. Të gjithë ne do të ishim shumë të lumtur nëse këtu me ne do të qëndronte tashmë i ndjeri Toni Sali dhe do ta përgëzonim për numrin e marrë të identitetit dhe për dokumentet personale. Redaksia e SDK.mk do të luftojë që të mos përsëriten raste të tilla të shkeljes së rëndë të të drejtave të qytetarëve dhe të mos ketë më histori të tilla”, tha Delevska.

Nga 11 aplikacionet e pranuara për çmimin për raportim gazetaresk për tema të rëndësisë lokale dhe rajonale, komisioni për përzgjedhjen e çmimeve vjetore vendosi që këtë çmim t’ua ndajë gazetareve Ubavka Janevska dhe Daniela Sazdova për storjen “Ankohen banorët e Reçanit për ndotjen, NP “Rruga e Maqedonisë” pretendon se nuk i ndot“ nga mediumi Duma.mk. Bëhet fjalë për një histori investigative që është një artikull mediatik i bazuar në hulumtime mediatike që është gjithashtu një artikull me shumë shtresa. Gazetarja Janevska falënderoi publikisht për përpjekjet e SHGM-së përmes këtij çmimi të mbështesë dhe të inkurajojë mediat nga brendia që të raportojnë për tema të rëndësishme me rëndësi lokale.
Në konkursin publik të këtij viti, në afatin e paraparë janë dorëzuar gjithsej 43 aplikacione për çmime për të tri kategoritë, ndërsa anëtarë të Komisionit për përzgjedhjen e çmimeve ishin gazetarët Aleksandar Çomovski si kryetar dhe si anëtarë Slobodanka Jovanovska dhe Senad Zulbeari. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë shpreh mirënjohje të madhe për të gjithë gazetarët e interesuar për konkursin e sivjetshëm.
