SHGM me propozime konstruktive për përmirësimin e Rregullores së gjykatës

Si përgjigje në kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë të Maqedonisë së Veriut në mars të këtij viti, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dërgoi propozim ndryshimet në Rregulloren gjyqësore, gjë që është e rëndësishme për funksionimin e lirë të gazetarëve dhe informimin në kohë dhe të saktë të publikut.
Propozimet e dërguara u komunikuan më parë me gjyqtarët dhe përfaqësuesit e kësaj ministrie dhe gjithashtu gjatë përgatitjes u morri parasysh edhe përvoja e gazetarëve që raportojnë për çështje lidhur me punën e gjykatave përmes konsultimeve të drejtpërdrejta me kolegët tonë.
Vërejtjet ndahen në dy pjesë: të veçanta dhe të përgjithshme. Të parat i referohen pjesës së Rregullores që rregullon transparencën e punës së gjykatave dhe qasjen e lirë në seanca gjyqësore. Vërejtjet e dyta në përgjithësi i referohen përmirësimit të disponueshmërisë së informatave që vijnë nga gjykata duke përmirësuar dhe duke rritur përmbajtjet e postuara në faqet e internetit të gjykatave lidhur me punën e tyre.
SHGM si vërejtje të veçantë në propozimet e saj e theksoi detyrimin për krijimin e një regjistri qendror të zëdhënësve të njësive gjyqësore me emër dhe mbiemër, numrin e telefonit dhe adresën e postës elektronike të zëdhënësve në secilën gjykatë në vend. Ai regjistër duhet të bëhet publik dhe informacioni duhet të jetë i disponueshëm për të gjithë në sud.mk dhe në faqet e internetit të gjykatave. Në mënyrë që të rritet transparenca, duhet të krijohet qasje e thjeshtë në të dhënat e gjykatës për gazetarët. Kjo do të lehtësojë punën e gazetarëve dhe do të mundësojë transmetim të saktë dhe në kohë të informatave (sidomos nga seancat që zgjasin edhe nga disa orë). Përveç disa korrigjimeve terminologjike, në interes të veçantë të publikut është edhe prania e gazetarëve në seancat gjyqësore, pa u penguar gazetarët dhe punëtorët mediatik gjatë kryerjes së punës së tyre profesionale. Përveç gazetarëve dhe punonjësve mediatik, në Rregulloren duhet të përfshihen edhe persona që janë të pranishëm në gjykatë në mënyrë që të monitorojnë seancat gjyqësore, siç janë përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, organizata ndërkombëtare etj.
SHGM propozon që Rregullorja të përfshijë edhe një detyrim për të gjithë gjyqtarët që të kenë publikuar edhe biografinë e tyre të standardizuar, fotografi dhe adresën e tyre të postës elektronike në ueb-faqet e gjykatave si dhe të kenë një regjistër qendror në sud.mk, dhe një person për komunikime me adresën e postës elektronike dhe numrin e telefonit i cili do të jetë përgjegjës për sigurimin e informatave që janë me karakter publik. Ndryshime në pjesën e vendimeve të publikuara të gjykatës penale në faqen e internetit të gjykatës fshihen pas skadimit të afatit për fshirjen e dënimit, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal, dhe vendimet e tjera të gjykatës fshihen pas skadimit të pesë viteve nga dita e publikimit të tyre. Periudha pesë-vjeçare është shumë e shkurtër dhe duhet të rritet në dhjetë vjet.
Procesi për paraqitjen e vërejtjeve dhe sugjerimeve për ndryshimet është akoma i hapur dhe secili gazetar mund të paraqesë mendime shtesë të cilat më pas do të komunikohen nga SHGM në kuadër të grupit të punës për ndryshimin dhe plotësimin e këtij dokumenti.