SHGM mbajti Kuvendin e rregullt jozgjedhor dhe miratoi raportet vjetore për vitin 2025

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), më 9 korrik 2026, në Qendrën Kulturore Rinore (QKR) në Shkup, mbajti Kuvendin e rregullt jozgjedhor, në të cilin anëtarët shqyrtuan dhe miratuan dokumentet kyçe që lidhen me punën e Shoqatës gjatë vitit 2025.
Në Kuvend, pas fjalimit të kryetarit të SHGM-së, Mlladen Çadikovski, u miratuan procesverbali i Kuvendit të mëparshëm, ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores për Këshillin e Nderit të SHGM-së, raporti narrativ dhe ai financiar për punën e SHGM-së gjatë vitit 2025, si dhe raporti vjetor i Këshillit të Nderit.
Në raportin vjetor u theksua se viti 2025 u karakterizua nga sfida serioze për liritë mediatike dhe sigurinë e gazetarëve, por edhe nga zgjerimi i ndjeshëm i shërbimeve dhe mbështetjes që SHGM u ofron anëtarëve të saj.
Gjatë vitit 2025, SHGM ofroi 87 këshilla juridike dhe përfaqësime falas për gazetarë dhe punonjës të mediave, ndërsa u monitoruan në mënyrë sistematike 13 procese gjyqësore që lidhen me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve. Në kuadër të monitorimit të gjendjes, u regjistruan pesë incidente më të rënda ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, si dhe më shumë se 25 raste më të vogla, për të cilat SHGM reagoi para institucioneve kompetente ose publikisht vuri në dukje shkeljet e të drejtave dhe standardeve profesionale. Gjithashtu, rreth dhjetë gazetarë dhe punonjës të mediave morën mbështetje psikologjike përmes shërbimeve që ofron Shoqata.
Në fushën e edukimit dhe zhvillimit profesional, përmes Akademisë së Trajnimeve të SHGM-së (T-AJM) dhe aktiviteteve të tjera gjatë vitit 2025, u realizuan trajnime dhe punëtori me pjesëmarrjen e më shumë se 147 gazetarëve, punonjësve të mediave dhe aktorëve të tjerë relevantë. Njëkohësisht, u zhvillua edhe një konsultim publik për Kodin e ri Etik të Gazetarëve, i cili synon t’u përgjigjet sfidave bashkëkohore të gazetarisë që lidhen me platformat digjitale, dezinformimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
Gjatë vitit 2025, SHGM vazhdoi të vlerësojë gazetarinë cilësore dhe profesionale përmes organizimit të katër cikleve të ndarjes së çmimeve për gazetarë dhe punonjës të mediave. Mes tyre ishin Çmimet Vjetore të Gazetarisë të SHGM-së në shtatë kategori, Çmimet për Fotoreporterë me rastin e 3 Majit – Ditës Botërore të Lirisë së Mediave, çmimet në bashkëpunim me UNHCR për raportim profesional mbi refugjatët dhe çmimet në bashkëpunim me UNDP për storjet më të mira gazetareske lidhur me ndotjen e ajrit.
Anëtarët e Kuvendit riafirmuan përkushtimin që SHGM të vazhdojë të punojë aktivisht për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të mediave, avancimin e lirive mediatike dhe standardeve profesionale, si dhe krijimin e kushteve më të mira për gazetari të pavarur, të përgjegjshme dhe profesionale në Maqedoninë e Veriut.
