SHGM kërkon reagim nga institucionet kompetente për rastin e gazetares Aneta Blazhevska

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësim serioz lidhur me veprimet e Petar Kotevskit, bartës i listës së pavarur të Lëvizjes “Bojkotiram” në zgjedhjet e fundit lokale në Manastir, të drejtuara ndaj gazetares Aneta Blazhevska nga mediumi online Apla.mk.
Bëhet fjalë për një sërë publikimesh në profilin e tij personal në rrjetin social Facebook, ku gazetarja është vënë në shënjestër për shkak të artikujve të publikuar në Apla.mk. Në këto publikime pretendohet se bëhet fjalë për raportim tendencioz dhe kërkohet kërkimfalje publike. Për më tepër, në komentet e postimeve është përdorur fjalor i papërshtatshëm, i cili ka nxitur ndjekësit e tjerë të publikojnë komente fyese ndaj gazetares Blazhevska. Kjo mënyrë komunikimi përbën presion të papranueshëm ndaj një gazetari dhe përpjekje për diskreditimin e punës profesionale.
Veçanërisht shqetësues është fakti se Kotevski, pa paralajmërim, është paraqitur në adresën e gazetares, gjë që përbën shkelje serioze të privatësisë së saj dhe krijon ndjenjë pasigurie dhe shqetësimi. Pas këtij incidenti, gazetarja Blazhevska e ka paraqitur rastin në polici.
SHGM thekson se veprime të tilla përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave dhe mund të kenë pasoja serioze për sigurinë e gazetarëve. Shoqata rikujton se gazetarët kanë të drejtë të raportojnë lirshëm për çështje me interes publik, pa frikë nga kërcënimet, presionet apo frikësimet.
SHGM u bën thirrje institucioneve kompetente, veçanërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të veprojnë urgjentisht pas denoncimit dhe të sqarojnë të gjitha rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Njëkohësisht, SHGM apelon te të gjitha figurat publike dhe përfaqësuesit politikë që të tregojnë nivel më të lartë përgjegjësie në komunikimin publik dhe të përmbahen nga sulmet verbale ndaj gazetarëve.
