SHGM: Kërkojmë hetim urgjent dhe serioz për zjarrin në televizionin Koha nga Tetova

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) kërkon një hetim urgjent dhe serioz për zjarrin që paralizoi sinjalin e Televizionit Koha në Tetovë. Kolegët nga televizioni konfirmojnë se, për shkak të këtij incidenti, qytetarët mbetën pa informacione të rëndësishme për tre ditë, çka përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave dhe informimit në vendin tonë.
Sipas informacioneve nga kolegët e Televizionit Koha, zjarri ka shpërthyer në qendrën tregtare në Tetovë, ku ndodhen edhe ambientet e televizionit, më 08.03.2025, të shtunën pasdite gjatë fundjavës së kaluar, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ky incident përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e gazetarëve dhe punonjësve të Televizionit Koha.
SHGM kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike një hetim të menjëhershëm dhe efikas për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, autorët e mundshëm dhe për të marrë masa për parandalimin e incidenteve të tilla në të ardhmen.
Siguria e gazetarëve është thelbësore për funksionimin e demokracisë. SHGM do të vazhdojë të luftojë për mbrojtjen e lirisë së mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut.
