SHGM-ja në punëtori në Brukel për krijimin e një metodologjie globale kundër ndikimeve të dëmshme të huaja në informacion (FIMI)

Ognen Janeski, kryetari i Këshillit të Nderit pranë Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), mori pjesë në një punëtori të rëndësishme për zhvillimin e një metodologjie globale për përballjen me manipulimin e huaj të informacionit dhe përzierjen në proceset zgjedhore (FIMI – Foreign Information Manipulation and Interference). Punëtoria ishte organizuar nga organizata ndërkombëtare IDEA, dhe mblodhi ekspertë që do të adresojnë sfidat që sjellin këto kërcënime (veçanërisht ndaj proceseve zgjedhore) dhe për të zhvilluar strategji efektive për t’i tejkaluar ato.
Në këtë ngjarje u punua për krijimin e një kornize gjithëpërfshirëse që do t’i mbështesë organizatat qytetare në njohjen dhe analizën e faktorëve dhe nxitësve që mundësojnë FIMI. Kjo metodologji do të forcojë kapacitetet e OJQ-ve, por edhe të mediave, për të njohur faktorët socio-politikë dhe ekonomikë që mundësojnë manipulime dhe do t’u japë mjete për avokim për politika efektive.
Janeski në këtë kontekst, theksoi rolin kyç të mediave në zvogëlimin ose forcimin e rreziqeve të lidhura me FIMI. Duke theksuar përvojat e Maqedonisë dhe Ballkanit, Janeski nxori në pah sfidat me të cilat përballen gazetarët në luftën kundër dezinformatave dhe theksoi sa e rëndësishme është të forcohet edukimi mediatik, kuadrot rregullatore dhe presionet ndaj gazetarëve, si dhe të merren parasysh eko-hapësirat në rrjetet sociale, ndikimi i teknologjisë në avancim të shpejtë, përballë nivelit të ulët të njohurive digjitale.

“Rritja e FIMI paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë. Është thelbësore të mbetemi të përkushtuar ndaj raportimit faktik dhe standardeve etike, ndërsa bashkëpunojmë me sektorin civil për të ndërtuar qëndrushmëri kundër manipulimeve dhe ndikimeve të dëmshme informative nga jashtë.”
Diskutimet dhe punëtoria u udhëhoqën nga autorët dhe hulumtuesit e metodologjisë, Tijana Moraça dhe Federiko Sikurela, ndërsa një fjalim hyrës mbajti edhe Ana Revenko, drejtore e Qendrës për Komunikim Strategjik dhe Përballjen me Dezinformatat nga Republika e Moldavisë, duke theksuar shembullin më të fundit me këtë problematikë gjatë zgjedhjeve në Moldavi, të cilat përfunduan gjatë fundjavës. Temat përfshinin faktorët socio-politikë të FIMI dhe nxitësit në industrinë e manipulimeve informative.
Gjatë vitit të ardhshëm, metodologjia pritet të marrë një version përfundimtar dhe të mundësojë, përmes hapave konkretë për aplikimin e saj nga OJQ-të, që ato të angazhohen për procese zgjedhore transparente në nivel global.
