SHGM i dënon ashpër kërcënimet ndaj Derallës dhe Saraçinit

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM) reagojnë ashpër ndaj kërcënimeve dhe fyerjeve të shprehura publikisht me elementë të gjuhës së urrejtjes të adresuara përmes rrjetit social Facebook ndaj gazetarëve dhe aktivistëve të “Civil Media”, Xhabir Deralla dhe Petrit Saraçini.
Në këtë rrjet social, një person me profil me emër si “Marjan Kamilovski” së fundmi ka publikuar një fotografi me armë zjarri dhe më pas, në një tekst kërcënues, i shoqëruar me fjalë vulgare, ka theksuar se nuk do të tolerohet kritika e thënë publikisht ndaj njërit prej deputetëve të sapozgjedhur në Kuvendin e RMV-së. Një profil tjetër, i motivuar nga ky postim, i quajtur si “Sekula vojdova fan club”, në mënyrë agresive dhe fyese iu drejtohet gazetarëve, duke i quajtur ata “veriorë” dhe “qen balistikë”, pas së cilit veprim përdoruesit e tjerë kanë adresuar kërcënime dhe gjuhë urrejtjeje.
Ky tip i retorikës agresive, që ishte i pranishëm në një numër të profileve të mediave sociale, u përforcua gjatë fushatës parazgjedhore, për të cilën gjë shumë herë kemi reaguar, ndërsa kjo retorikë vazhdon edhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Si organizata të gazetarëve theksojmë se gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet për jetën janë vepra penale të parapara me Kodin Penal, ndërsa institucionet kompetente, para së gjithash Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokuroria Themelore Publike (PTHP) në Shkup duhet t’i hetojnë dhe procesuojnë urgjentisht në mënyrë që të ndëshkohen ata që shkelin ligjin, por edhe të parandalojnë vepra eventuale të shkaktuara nga urrejtja.
Rikujtojmë se siguria e gazetarëve dhe e drejta e lirisë së shprehjes janë tiparet themelore të një vendi që aspiron të jetë demokratik. Prandaj ne insistojmë nga institucionet reagim të menjëhershëm dhe monitorim aktiv të paraqitjes së gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, nga partitë politike, veçanërisht ndaj atyre që kërcënuesit manifestojnë anshmërinë e tyre publikisht, kërkojmë dënim publik për sulmet dhe mbështetje të mendimit të lirë.