SHGM: Është e pahijshme që kryetari i LSDM- së Kovaçevski të japë vlerësime etike për punën e RTVM-së

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) reagon ndaj deklaratës së sotme të ish-kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së Dimitar Kovaçevski. Shprehim shqetësim serioz për deklarata të tilla që mund të interpretohen si ndikim dhe presion politik mbi lirinë e medias dhe pavarësinë editoriale në periudhën parazgjedhore, veçanërisht ndaj servisit publik.
Në pyetjen e një gazetari, Kovaçevski tha:
“TVM THJESHT NA E KUJTON SI DUKESHIN MEDIAT DERI NE VITIN 2016. KËTË PYETJE DUHET T’IA BËNI AMBASADORIT GIR, AMBASADORES AMERIKANE, AMBASADORIT TË HOLANDËS SEPSE ATA SHPESH KOMENTOJNË PËR DEMOKRACINË, LIRINË E MEDIAVE, MËNYRËN E RAPORTIMIT”
Deklaratat e tilla të liderëve të partive politike, të cilat ngrenë pikëpyetje për objektivitetin dhe paanshmërinë e raportimit mediatik të RTVM-së, dëmtojnë imazhin e servisit publik, por edhe parimet demokratike dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar në mënyrë të saktë dhe të paanshme.
Kujtojmë se Ligji që rregullon punën e RTVM-së në nenin 111 thotë se shërbimi publik ofron informacione të paanshme, gjithëpërfshirëse dhe të rëndësishme dhe ato duhet t’i prezantojë në mënyrë të qartë, pa mëdyshje dhe në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të formojnë mendimin e tyre. Për më tepër, këto informacione nuk përfaqësojnë ose favorizojnë pikëpamjet ose interesat e një partie të caktuar politike, shoqate, interesi personal, feje ose ideologjie ndërsa në programe ta respektojë në mënyrë të barabartë opinionin dhe bindjet e shërbimeve të tjera mediatike.
Nëse politikanët kanë dilema apo mosmarrëveshje për mënyrën e raportimit të shërbimin publik apo ndonjë medie tjetër, në vend që të ndajnë kualifikime personale të papërshtatshme, ata mund të paraqesin ankesë pranë organeve vetërregulluese të medias, përkatësisht: Këshillit të Nderit në SHGM si Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë dhe në këtë mënyrë ndihmojnë në zbulimin e mediave që devijojnë nga standardet gazetareske. Roli i vërtetë i medias është të shërbejë si një shtyllë e demokracisë, duke përcjellë informacione të verifikuara pa ndikim nga interesat politike dhe çdo përpjekje për të minuar integritetin e medias është e dënueshme.
