SHGM dhe UNDP: Trajnim për gazetarët për trajtimin e ndotjes së ajrit

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në kuadër të projektit “Ballafaqimi me ndotjen e ajrit” mbajti trajnim dy ditor për gazetarë me temë “Ballafaqimi me ndotjen e ajrit – përforcimi i vetëdijes publike” për problemet dhe zgjidhjet e mundshme”.
Në fillim të punëtorisë, të pranishmit i përshëndeti drejtori ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski, i cili theksoi avantazhet e njohurive shtesë të kësaj fushe, që na prek të gjithëve:
“Raportimi lidhur me nivelet e cilësisë së ajrit dhe burimet e ndotjes mund t’i ndihmojnë individët të marrin vendime të informuara për të mbrojtur shëndetin e tyre.” Ndotja e ajrit nuk është vetëm një kërcënim për shëndetin e njeriut, por ka edhe ndikime të konsiderueshme në mjedis. Raportimi i këtyre ndikimeve mund të nxjerrë në pah pasojat më të gjera të ndotjes. Në këtë mënyrë do të angazhohen më shumë komunitete lokale në drejtim të monitorimit dhe zgjidhjes së problemeve të ndotjes në zonat e tyre, që nga ana tjetër do të ndihmojë iniciativat e reja, partneritetet dhe përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së ajrit të udhëhequra nga komuniteti”, – tha Sekullovski.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre mbi temat që lidhen me ndotjen e ajrit dhe rolin e gazetarëve në luftën për ajër më të pastër, termat kyçe dhe kuptimin e procesit të analizës së ndotjes së ajrit, ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e njeriut dhe mjedisin, dhe rolin e gazetarëve në ndërgjegjësimin e publikut, gazetarinë e bazuar në analizën e të dhënave të ndotjes së ajrit, nevojën për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile dhe pushtetin vendor, teknikat e gazetarisë hulumtuese gjatë raportimit për ndotjen e ajrit, si dhe rëndësinë e një qasjeje multimediale në tregimin e historive për ndotjen e ajrit.
Trajnimi u realizua nga gazetarë me përvojë shumëvjeçare në monitorimin dhe pasqyrimin e temave mjedisore, si dhe ekspertë nga ekipi i Universitetit Goce Dellçev nga Shtipi, ku ndodhet laboratori i akredituar për matjen e cilësisë së ajrit.

Prof. Dr. Dejan Mirakovski prezantoi teknikat dhe aparaturat për matjen e ndotjes në ajër, si dhe ndau rekomandime për trajtimin e ndotjes.
Gazetarja Katerina Topalova foli për temën – Ndikimi i ndotjes së ajrit në shëndetin/mjedisin e njeriut dhe roli i gazetarëve në ndërgjegjësimin e publikut, për rëndësinë e gazetarisë hulumtuese në raportimin e çështjeve mjedisore dhe për qasjet në tregimin e historive për ndotjen e ajrit.
Gazetari Aleksandar Manasiev diskutoi me pjesëmarrësit për gazetarinë e bazuar në analizën e të dhënave të ndotjes së ajrit, se si të përdoret më mirë e drejta për qasje të lirë në informacionin publik dhe në fund ndau me pjesëmarrësit mjete për rrëfim multimedial.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë pikëpamjet dhe përvojat e tyre mbi temat përmes një diskutimi interaktiv.

Kjo punëtori u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë si pjesë e projektit “Ballafaqimi me ndotjen e ajrit” i implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në partneritet me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunat e Kavadarit, Kumanovës, Gostivarit. , Strugës dhe Strumicës.
Ky projekt është pjesë e Kornizës së Programit të UNDP-së, financuar nga Suedia. Në kuadër të programit realizohet edhe projekti “Ngritja e kapaciteteve komunale për realizimin e projekteve”.
