SHGM dhe UNDP iniciuan Rrjetin Joformal për Integritet Informativ

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), mbajti në Klubin e Gazetarëve në Shkup takimin e parë konsultativ për formimin e një Rrjeti Joformal për Integritet Informativ në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Nisma realizohet në kuadër të mbështetjes globale të Kombeve të Bashkuara për rrjetet e integritetit informativ dhe synon të krijojë një platformë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, mediave, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe teknologjik, si dhe partnerëve ndërkombëtarë për përballimin e sfidave bashkëkohore në hapësirën informative.

Gjatë takimit u prezantua koncepti i rrjetit dhe u hapën diskutime lidhur me strukturën, prioritetet dhe mekanizmat e mundshëm për veprim të përbashkët. Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi mënyrat se si aktorët e ndryshëm shoqërorë mund të kontribuojnë në forcimin e integritetit informativ dhe rritjen e rezistencës së publikut ndaj dezinformatave dhe përmbajtjeve manipuluese.
Në kushtet e keqpërdorimit gjithnjë e më të shpeshtë të teknologjive digjitale, përhapjes së dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes, pjesëmarrësit theksuan nevojën për një qasje të koordinuar, të fokusuar dhe të bazuar në partneritet, me qëllim mbrojtjen e së drejtës së qytetarëve për informacione të sakta, të besueshme dhe të larmishme.
SHGM dhe UNDP do të vazhdojnë të punojnë me të gjitha palët e interesuara për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj nisme, me synimin për të krijuar një rrjet të qëndrueshëm që do të kontribuojë në avancimin e mjedisit mediatik, proceseve demokratike dhe besimit në hapësirën publike të informimit.

