SHGM dhe SPGPM dënojnë trajtimin e punonjësve mediatik në Forumin Ekonomik

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve mediatik (SPGPM) reagojnë ashpër për trajtimin dhe për censurën e mediave, gazetarëve dhe fotoreporterëve, në Forumin e djeshëm ekonomik në organizim të kabinetit të kryeministrit në koordinim me kabinetet e kryeministrit të Shqipërisë dhe të Presidentit të Serbisë ku u promovua “Ballkani i hapur” mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
Në SHGM dhe SPGMP dje arritën ankesa nga gazetarë dhe fotoreporterë se u janë pamundësuar kushte adekuate për punë gjatë Forumit, kështu që një pjesë e tyre janë ngritur nga organizuesi nga vendet në të cilat ishin ulur, edhe pse fillimisht u ishte thënë se vendet janë të rezervuar për ta, duke i udhëzuar “të gjinden” për të gjetur vend tjetër. Me atë, posaçërisht gazetarëve televizivë u është shkaktuar problem në procesin e punës, sepse kanë qenë larg nga kameramanët dhe kontaktit me ta gjatë kryerjes së detyrave të punës.
Gjithashtu, fotoreporterëve, përveç që u ishte kufizuar lëvizja, nuk u ishte siguruar vendi për pajisjet e tyre dhe kushte për t’i dërguar materialet në redaksitë e tyre. Prandaj, një pjesë e tyre kanë dërguar materialet ose kanë punuar duke qëndruar në gjunjë apo të ulur në dysheme.
SHGM dhe SPGPM reagojnë ndaj informatave se në konferencën për shtyp gazetarëve u ishte thënë se nuk do të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje, përveç tre mediave që janë në pronësi shtetërore për të cilat në nivel të kabineteve të organizuesve, me dakordim paraprak që të parashtrojnë pyetje – nga një medium nga tre shtetet e prezantuara në Forum – RTSH, agjencia Tanjug dhe agjencia MIA. Me këtë, edhe pse ishte paraparë dhe dakorduar mundësia për parashtrim të nëntë pyetjeve, të gjitha të nëntat ishin parashtruar nga këto tre media, duke mos lënë hapësirë që një medium tjetër të parashtrojë pyetje.
Sjellja e këtillë e organizuesve përveç që i vë në pozitë të pabarabartë mediat dhe bën diskriminim në bazë të pronësisë së mediave, vendosë edhe praktikë të zgjedhjes së mediave të përshtatshme dhe të papërshtatshme për parashtrim të pyetjeve në nivel të kabineteve dhe e shuan lirinë e shprehjes përmes pamundësisë që media të ndryshme të parashtrojnë më shumë pyetje në konferencën për shtyp, posaçërisht që për diçka të tillë ka ekzistuar mundësia dhe atë nëntë herë.
SHGM dhe SPGPM i inkurajojnë anëtarët e vet dhe punonjësit e tjerë mediatik nëse në të ardhmen u pengohet e drejta e raportimit të organizohen dhe ta braktisin ngjarjen. E drejta e informimit është e drejtë e garantuar dhe detyrë e mediave, siç është detyrë edhe e organizuesve të ngjarjeve me interes publik të mundësojnë kushte adekuate për punonjësit mediatik.