SHGM dhe SPGPM dënojnë ashpër fyerjet e këshilltarit në komunën e Ohrit Nefi Useini ndaj koleges Emilija Misirlievski

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dënojnë ashpër fyerjet dhe sharjet nga këshilltari i punësuar në komunën e Ohrit, Nefi Useini drejtuar koleges sonë, korrespondentes së Televizionit Telma nga Ohri, Emilija Misirlievski.
Sot përmes thirrjes telefonike gazetarja parashtroi pyetje gazetareske për konfliktin e interesit për tenderët e kompanisë së bashkëshortes së tij dhe vendimet e Këshillit të Komunës së Ohrit, ku ai është këshilltar. Useini në këto pyetje iu përgjigj koleges Misirlievski në mënyrë të pahijshme dhe tejet të paturpshme, duke e sharë dhe ofenduar gazetaren gjatë bisedës telefonike.
SHGM dhe SPGPM paralajmërojnë se është i papranueshëm qëndrimi i tillë ndaj mediave dhe gazetarëve nga këshilltarët të pushtetit lokal, të cilët zgjidhen dhe paguhen nga qytetarët. Kujtojmë se funksionarët e zgjedhur, siç janë edhe këshilltarët, kanë për detyrë sjelljen dhe qëndrimin profesional ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik dhe janë të obliguar të japin llogari për punën e tyre.
Përballja personale me gazetarët apo punonjësit mediatik në asnjë rast nuk mund të justifikohet dhe për këtë arsye kjo sjellje paraqet dhe interpretohet si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e gazetarëve dhe tërë profesionit, që mund të çojë në autocensurë. Ky qëndrim paraqet edhe goditje mbi informimin e publikut dhe rrezikim të interesit publik.
Apelojmë që në të ardhmen përfaqësuesit e partive politike nëpër komunat dhe këshilltarët të punojnë seriozisht për t’i përmirësuar marrëdhëniet me gazetarët sepse ata janë arsyeja kryesore për renditjen e dobët të vendit në indekset botërore për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve. Shoqatat e gazetarëve jo vetëm që nuk do të pranojnë falje, por presim që institucionet kompetente të veprojnë për të pastruar këtë rast.