SHGM dhe SHAMA nënshkruan Memorandum bashkëpunimi dhe i prezantuan programet amerikane për zhvillim dhe shkëmbim

Sot, në Klubin e Gazetarëve në Shkup u nënshkrua një Memorandum për bashkëpunim ndërmjet Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Shoqatës Alumni Maqedono-Amerikane (SHAMA).
SHGM dhe SHAMA këmbyen mendime rreth nevojës për veprim të përbashkët në fushën e gazetarisë dhe rrjetëzimit të punonjësve mediatik.
Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski foli edhe për nevojën e rritjes së numrit të gazetarëve të rinj të cilët do të kenë mundësi të jenë pjesë e programeve zhvillimore. “SHGM vitin e kaluar themeloi Seksionin e Gazetarëve të Rinj, i cili në këtë mënyrë u mundëson kolegëve të rinj të ndajnë përvojat e tyre dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar dhe avancuar gjendjen e gazetarisë në vendin tonë. Profesioni i gazetarisë, sipas statistikave të studentëve të sapo regjistruar në drejtimin e studimeve të gazetarisë në universitetet tona, nuk është aq tërheqës sikur më parë, ndaj përmes këtij rrjetëzimi duam të ofrojmë qasje të papenguar në programet zhvillimore, të cilat do t’u japin kolegëve të rinj mundësinë për trajnime të mëtejshme, zhvillim profesional, si dhe dyer të hapura kah përvojës së drejtpërdrejtë me standardet dhe kolegët e gazetarisë amerikane”, tha Çadikovski.

Kryetarja e SHAMA-së, Verica Jordanova theksoi se përkushtimi për bashkëpunim të përbashkët është veçanërisht i rëndësishëm. “Rrjetëzimi i gazetarë(e)ve nga vendi ynë që kanë qenë pjesë e programeve për shkëmbim dhe edukim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe inicimi i aktiviteteve dhe bashkëpunimit të përbashkët në fushën e medias, gazetarisë, informimit dhe aktiviteteve të tjera të rëndësishme për këtë fushë do të inkurajojë përfshirje edhe më të madhe dhe do të iniciojë projekte të përbashkëta që dalin nga programet. Me këtë, krijohen mundësi për vendosjen e komunikimit të rregullt me ekspertë të cilët janë anëtarë të SHAMA-së që punojnë në fusha dhe profesione të ndryshme”, tha Jordanova.
Në takimin, përveç sekretarit organizativ të SHAMA-së, Ognen Janeski, dhe përfaqësues të profesioneve të gazetarisë dhe arsimit, prezent ishte edhe Koordinatori për Shkëmbime dhe Alumni në Ambasadën Amerikane, Gazmend Ilazi, i cili bëri një prezantim të të gjitha programeve dhe mundësive që lidhen me gazetarinë dhe mediat. “Ka shumë mundësi për gazetarët. Programet Fulbright dhe Humphrey janë shumë të respektuara dhe ne dëshirojmë që këto shkëmbime të përdoren nga punonjësit mediatik, sepse në këtë mënyrë ata mund të fitojnë përvoja që do të jenë shumë të dobishme në jetën e tyre, veçanërisht për zhvillimin profesional, por edhe për rrjetëzimin me kolegët e tyre nga Shtetet e Bashkuara, gjë që është e pazëvendësueshme”.

Nëpërmjet këtyre programeve, punonjësve mediatik u ofrohet një mundësi e jashtëzakonshme për të avancuar njohuritë e tyre dhe për të këmbyer përvojat me kolegët amerikanë, në institucionet e arsimit të lartë dhe në programet e organizatave botërore me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.