SHGM dhe PTHP: Mbrojtje më e madhe institucionale e punonjësve të medias

Më 2 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve, Prokuroria Themelore Publike në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikatin e Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) emëroi tre prokurorë shtesë të posaçëm publik në prokuroritë e apelit të Tetovës, Manastirit dhe Shtipit.
Me këtë rast u organizua një eveniment ku më shumë se 30 gazetarë dhe punonjës mediatikë u njoftuan me rezultatet, përshtypjet e bashkëpunimit të deritanishëm, si dhe me iniciativat e reja që po ndërmerren në drejtim të promovimit të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet shoqatave të fushës dhe prokurorisë.

Tema e ngjarjes ishte “Pika të reja kontakti në prokuroritë themelore publike për mbrojtje më të madhe dhe dhënien fund të mosndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias”. U mbajt panel diskutim në të cilin morën pjesë kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, kryetari i SPGPM-së, Pavle Bellovski dhe prokurorja publike e caktuar për veprime lidhur me sigurinë e gazetarëve nën juridiksionin e Prokurorisë Publike të Shkupit, Iskra Haxhi Vasileva. Në diskutim morën pjesë edhe Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i SHGM-së dhe Biljana Arsovska, zëdhënëse e Prokurorisë Publike të RMV-së.
Në fjalimin e tij, kryetari i SHGM-së kujtoi numrin e madh të rasteve të pazbardhura të sulmeve ndaj gazetarëve, nevojën për zgjidhjen e menjëhershme të tyre, veçanërisht rastet e 27 prillit:
“Gazetarët përballen me një sërë sfidash, përfshirë dhunën fizike, ngacmimet, kërcënimet dhe pasoja jurudike, dhe të gjitha këto mund të çojnë në vetë-censurë dhe ulje të nivelit të gazetarisë hulumtuese. Sot kujtojmë padrejtësinë që na është bërë, çështjet gjyqësore të harruara dhe të pazgjidhura, paditë SLAPP që janë gjithnjë e më të përhapura. Të gjitha sulmet e pazbardhura ndaj gazetarëve të 27 prillit, përgjimet e gazetarëve, viti nisi me nënçmim publik dhe nënvlerësim të gazetarëve nga politikanët… Lista e rasteve të pazbardhura është e gjatë, por kërkesat dhe pritjet tona janë edhe më të larta. Simboli ynë i pandëshkueshmërisë është 27 prilli, të mos e lëmë të përsëritet”, tha Çadikovski.

Kryetari i SPGPM-së, Pavle Bellovski, theksoi se “2 Nëntori është një ditë përcaktuese kur kujtojmë se sa prej nesh janë viktima të dhunës. Qëllimi i kësaj dite, përmes këtij debati, është të rishikohet konteksti se pse numri i sulmeve jo që po zvogëlohet, por dhuna dhe krimet ndaj nesh po intensifikohen. Por gjithsesi është nder të jem në këtë tavolinë ku kemi bashkëpunëtor prokurorinë, sepse gjashtë vite më parë kur jam sulmuar personalisht, në mungesë të ndryshimeve në Kodin Penal me të cilat sulmi ndaj një gazetari trajtohet si sulm ndaj një zyrtari, sulmuesi im është ndjekur penalisht vetëm për kundërvajtje, d.m.th për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Që atëherë, lufta jonë për këto ndryshime, përmes të cilave presim të arrijmë qëllimin, nuk ka të ndalur. Qëllimi ynë është zero sulme ndaj gazetarëve për shkak të ekzistimit të përgjegjësisë penale, gjë që do të kontribuojë në çrrënjosjen e kësaj dhune dhe ndërgjegjësimin në diskursin publik, se sulmi ndaj gazetarëve nuk është sulm ndaj personit, por sulm ndaj demokracisë dhe sulm ndaj interesit publik”, theksoi Bellovski.
Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva iu referua vitit të kaluar dhe aktiviteteve që ka pasur Prokuroria Publike e Shkupit në lidhje me temën:
“Pasi jam emëruar person kontaktues për monitorimin e rasteve që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetarëve nën juridiksionin e Shkupit, Prokuroria publike, është mirë që mund të themi se nuk kemi shumë lëndë për sa i përket statistikave. Por e dimë që statistikat nuk duhen kuptuar lehtë pa analiza të thelluara metodologjike. Megjithatë, shifrat konkretisht për vendin tonë, nuk janë të këqija këtë vit. Më inkurajon fakti që kemi edhe kolegë të rinj të cilët sot i prezantuam zyrtarisht nga cilat prokurori vijnë, përkatësisht prokuroritë e Tetovës, Manastirit dhe Shtipit. Ky është një hap përpara në këtë luftë dhe angazhim që prokuroria e dëshmon për mbrojtjen e gazetarëve”, tha prokurorja.

Qëllimi i aktivitetit ishte që të dërgohej një mesazh me zë të lartë për publikun se sulmet ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen dhe do të dënohen ashpër. Nga ana tjetër do të dërgohet një mesazh për institucionet që të veprojnë me përgjegjësi dhe sulmet ndaj gazetarëve të zbardhen sa më shpejt. Kjo ngjarje do të jetë një mundësi dhe forum i mirë ku gazetarët dhe prokurorët do të mund të shkëmbejnë ide dhe informacione për të përmirësuar bashkëpunimin mes këtyre profesioneve.
Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve – 2 nëntori, është njohur nga Kombet e Bashkuara. Kjo ditë shënohet për të tërhequr vëmendjen për çështjen e mosndëshkimit, e cila i referohet dështimit për të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.