SHGM dhe OSBE forcojnë njohuritë dhe kulturën e sigurisë te gjeneratat e ardhshme të gazetarëve

Përmes një programi intensiv pesëditor, gazetarë të rinj nga redaksi të ndryshme fituan aftësi praktike dhe njohuri për sigurinë personale dhe profesionale, ndërtimin e besimit me institucionet, si dhe zbatimin e standardeve në gazetarinë hulumtuese. Kampi i katërt Veror për Siguri, i organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Misioni i OSBE-së në Shkup, u mbajt nga 8 deri më 12 korrik 2025 në Ohër dhe ishte i përkushtuar përgatitjes së brezave të rinj të gazetarëve për përballje me sfidat moderne në gazetari.
Vëmendje e veçantë iu kushtua menaxhimit të rreziqeve ligjore (përfshirë paditë SLAPP), higjienës digjitale, raportimit etik për korrupsionin dhe krimin, si dhe punës ekipore në redaksi.

Në fokus ishte edhe siguria digjitale dhe “higjiena” personale kibernetike, e trajtuar nga Sreçko Popovski dhe Vladimir Mirçevski nga 360 Stepeni. Ndërsa gazetarja Maja Jovanovska nga IRL foli për sigurinë e gazetareve dhe kërcënimet online, si dhe për standardet e raportimit për krimin dhe korrupsionin. Aleksandar Dimitrievski nga 360 Stepeni diskutoi mbi mbrojtjen e fjalës kritike gazetareske dhe përdorimin e sarkazmës si pjesë e lirisë së shprehjes.

Sesionet për bashkëpunimin me institucionet poashtu kishin rëndësi të veçantë. Përfaqësuesit e Prokurorisë Themelore Publike, Biljana Arsovska dhe Gavril Bubevski, diskutuan për transparencën dhe mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin me gazetarët. Ndërsa Goce Andrejevski nga MPB ndau protokollet për komunikim gjatë situatave të krizës.

Programi përfshiu edhe tema mbi etikën dhe sigurinë në gazetari, ku Leunora Kaliqi nga Këshilli për Etikë në Media foli për raportimin e përgjegjshëm si parakusht për mbrojtjen personale dhe profesionale. U punua gjithashtu edhe për rezistencën mendore të gazetarëve nën udhëheqjen e Ognen Janeski, si dhe mbi standardet ndërkombëtare dhe paditë SLAPP të shpjeguara nga Dragan Sekullovski.
Pavle Belovski, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM), mbajti një sesion të posaçëm, ku foli për mbrojtjen kolektive dhe të drejtat e punëtorëve të mediave, si dhe për rëndësinë e lëvizjes sindikale si kusht për sigurinë e gazetarëve.

Milan Spirovski dhe Dragan Sekullovski nga SHGM ndanë përvojat dhe aktivitetet e shoqatës, si dhe funksionimin e platformës rajonale SafeJournalists.net – një rrjet prej shtatë organizatash gazetareske nga Ballkani Perëndimor që punojnë për përmirësimin e lirisë së mediave dhe sigurinë e gazetarëve në rajon.

U organizuan edhe ushtrime praktike të ndërtimit të ekipit nën udhëheqjen e Ognen Janeskit dhe Nami Isakit, përmes simulimeve të situatave të rrezikshme (“Treasure Hunt”), të cilat ishin të fokusuara në zhvillimin e strategjive për sigurinë kolektive dhe personale në terren.
Në fund të kampit, presidenti i SHGM-së, Mladen Çadikovski dhe ambasadori i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl, ndanë certifikatat për pjesëmarrësit.

Në fjalën e tij, Çadikovski theksoi: “Ky kamp për gazetarët e rinj nuk është vetëm trajnim – ai është investim në të ardhmen e gazetarisë në Maqedoni. Siguria e gazetarëve është parakusht themelor për lirinë e mediave, por ajo nuk vjen vetvetiu. Nevojitet dije, mbështetje dhe solidaritet. Prandaj jemi këtu – për të krijuar një hapësirë ku gazetarët e rinj mund të mësojnë, të krijojnë rrjete dhe të ndërtojnë një ndjenjë komuniteti që zgjat përtej këtyre ditëve. Mbështetja për të rinjtë është kyçe – ata janë bartës të perspektivave të reja, integritetit dhe mendimit kritik, të domosdoshëm për përparimin e shoqërisë. Nëse duam që qytetarët të kenë informacion cilësor dhe të përgjegjshëm, atëherë duhet të kujdesemi për ata që e krijojnë – gazetarët.”

Ambasadori i OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl, në fjalën e tij nënvizoi: “Ngjarje të tilla janë thelbësore për ndërtimin e një gjenerate të re gazetarësh, të cilët do ta forcojnë besimin publik në media. Është veçanërisht e rëndësishme të investojmë te të rinjtë si ju, profesionistë të ardhshëm që do të përballen me sfidat e kohës së re. Publiku nga ju do të presë të vërtetën, e jo vetëm informacione. Mënyra se si i tregoni historitë ka fuqi – ato mund të lëndojnë, por edhe të shërojnë. Jemi krenarë për këtë grup pjesëmarrësish dhe besojmë në potencialin tuaj. Ju inkurajoj të qëndroni kureshtarë, etikë dhe solidarë. Mësoni nga njëri-tjetri, ndërtoni miqësi, ndani përvoja – këto janë themelet e karrierës suaj të suksesshme në të ardhmen.“Me këtë aktivitet, SHGM dhe Misioni i OSBE-së konfirmuan përkushtimin e tyre për përmirësimin e kulturës së sigurisë dhe standardeve profesionale si themele të një shoqërie të lirë dhe demokratike.
