SHGM dhe Kuvendi i RMV-së: Duhet të përmirësohet bashkëpunimi mes parlamentarëve dhe gazetarëve për llogaridhënie dhe transparencë më të madhe

“Përmirësimi i bashkëpunimit mes parlamentarëve dhe gazetarëve për llogaridhënie dhe transparencë më të madhe” ishte emri i ngjarjes ndërsektoriale që u mbajt më 01 tetor, e organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe ku morën pjesë gazetarë, deputetë, Sekretariati i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që janë aktive në fushën e mbrojtjes së lirisë së shprehjes. Gjatë ngjarjes, fjalime mbajtën Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe Shefi i Departamentit për Shoqërinë Informatike nga Këshilli i Evropës, Patrik Penings.
Ky uebinar ndoqi një dokument të ri politikash në të cilin dy gazetarë me përvojë, të angazhuar nga SHGM, hulumtuan dhe vlerësuan gjendjen e bashkëpunimit mes parlamentarëve dhe gazetarëve dhe formuluan rekomandime se si ta përmirësojnë atë për të promovuar avancimin e suazës ligjore në sektorin e medias.
Uebinarin e hapi moderatorja, gazetarja Dushica Mrgja, e cila përshëndeti auditorin, prezantoi agjendën dhe folësit dhe ndau kontekstin me pikëpamjet e saj mbi temën kryesore të ngjarjes.
Në fjalimin e tij, Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski tha se reformat në media dhe disa ligje të rëndësishme për punën e gazetarëve janë vendimtare për procesin e euro-integrimeve të vendit, gjë e cila është përmendur në raportin e fundit të Komisionit Evropian, në të cilin shkruan “shteti duhet të bëjë përpjekje për të përmirësuar pavarësinë dhe standardet profesionale të servisit publik si dhe pavarësinë e tij financiare.” Rekomandimet dhe gjetjet kryesore të hulumtimit do t’u sigurojnë gazetarëve dhe parlamentarëve një forum për të shkëmbyer mendimet, që do të thotë përgatitje të terrenit për forcimin e aleancës ndërsektoriale dhe do të sigurojë bashkëpunim të mëtejshëm midis këtyre aktorëve kryesorë.
Kryetari i Kuvendit të RMV-së, z. Talat Xhaferi gjithashtu iu drejtua të pranishmëve, duke thënë se qëndrimi i përbashkët i Kuvendit është që ai duhet të jetë gjithmonë i hapur dhe i arritshëm për të gjithë gazetarët, dhe përmes gazetarëve dhe qytetarëve, për organizatat joqeveritare dhe natyrisht për bashkësinë ndërkombëtare. Ai theksoi disponueshmërinë e tij për gazetarët, veçanërisht në brifingjet mujore të përcaktuara për të siguruar informacion të saktë dhe në kohë, por gjithashtu tha se ai nuk mund të ndikojë tek kolegët e tij deputetë sa i përket disponueshmërisë dhe dëshirës së tyre për ekspozim në media. Ai tha se ka plane për të azhurnuar faqen e internetit të Kuvendit, duke ndjekur shembullin e Parlamentit Estonez dhe është i bindur se të gjitha këto aktivitete që janë planifikuar për periudhën e ardhshme, do ta afrojnë legjislaturën më afër gazetarëve, qytetarëve dhe të gjithë publikut ndërkombëtarë dhe do të përmirësojë përshtypjen për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

I treti u drejtua z. Patrik Penings, Shefi i Departamentit për Shoqërinë Informatike nga Këshilli i Evropës. Ai tha se liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve janë të lidhura ngushtë me fusha të tjera të tilla si mbrojtja e të dhënave personale, krimi kibernetik dhe inteligjenca artificiale. Të gjitha këto pika janë të ndërlidhura me lirinë e shprehjes. Mbrojtja e lirisë së fjalës dhe mungesa e presionit mbi mediat është vendimtare, siç është edhe hapja e Parlamentit ndaj mediave. Informacioni në kohë dhe i saktë nga gazetarët kontribuon që qytetarët të jenë pjesë e procesit demokratik, pra të marrin pjesë në të.
Folësit e tjerë, përfaqësues nga mediat dhe Parlamenti, ranë dakord se ka përparim në punën e këtij institucioni në aspektin e bashkëpunimit, por gazetarët theksuan nevojën për përmirësime në këtë sektor, veçanërisht gjatë pandemisë me Kovid-19, gjatë të cilës gazetarët dhe mediat ishin plotësisht të përjashtuar nga seancat parlamentare. Pikërisht për këtë qëllim, u bë një propozim për transmetimin e seancave në kohë reale, në vend që të dërgohen video inçizime dhe raporte me vonesë.
Përveç gazetarëve Aleksandra Mitevska dhe Mefail Ismaili, si fjalë morën edhe raportuesi i përvojshëm Todor Pendarov, dhe në këtë pjesë fjalime mbajtën edhe konsulentja e jashtme Flutura Kusari dhe drejtori i NDI Edip Biljali.
Përfaqësuesit e Kuvendit deklaruan se gjatë viteve të fundit ka pasur përmirësime të uebfaqes ku përveç informacionit aktual, ekziston edhe një kalendar që tregon të gjitha seancat e planifikuara. Ata gjithashtu kujtuan se aktualisht janë duke punuar në një uebfaqe plotësuese që do të jetë për gazetarët. Është duke u punuar edhe në idenë e krijimit të softuerit parlamentar që do të gjenerojë fjalime në kohë reale nga vetë videot.
PËRFUNDIME NGA ANALIZA
Transparenca e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë kohës së pandemisë me Kovid-19
Përfundimet e analizës sqarojnë se kriza e shkaktuar nga Kovid-19 theksoi më tej dobësitë në funksionimin e Kuvendit në aspektin e transparencës, llogaridhënies dhe komunikimit me mediat, të cilat më parë ishin fshehur pas normave kushtetutëse dhe rregullave procedurale për hapjen dhe publicitetin në punën e parlamentit. Rekomandimet thonë se është e nevojshme të analizohen të gjitha mundësitë për hapjen e komisioneve për publikun, të merret parasysh trajnimi i duhur për parlamentarët në fushën e marrëdhënieve me publikun, të merret parasysh mundësia e krijimit të një praktike për informime periodike ose të rregullta. Këto janë vetëm disa nga përfundimet dhe rekomandimet e deklaruara në analizën e transparencës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë pandemisë me Kovid-19.

Për më shumë informata që janë pjesë e analizës – klikoni në këtë hallkë.
Uebinari u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli i Evropës me temën HF II – HF 37: Liria e shprehjes dhe liria e mediave në Maqedoninë e Veriut (JUFREX 2) – Përmirësimi i bashkëpunimit mes parlamentarëve dhe gazetarëve për llogaridhënie dhe transparencë më të madhe.