SHGM dhe KAS: trajnim për gazetarët e rinj – shans për një epokë të re për media me integritet dhe ndikim

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), organizoi punëtori tre-ditore me temë “Gazetarët e rinj si shans për një epokë të re për media me integritet dhe ndikim”.
Në pjesën e parë të punëtorisë tre-ditore, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski iu drejtua të pranishmëve, duke theksuar rëndësinë e rolit të gazetarëve të rinj në avancimin e standardeve të esnafit në vend.“Duke ndërtuar kapacitetet dhe duke përmirësuar kushtet e punës në redaksitë si dhe duke përmirësuar bashkëpunimin e gazetarëve të rinj me kolegët e tyre më me përvojë në redaksitë, konfirmohet qëllimi strategjik i SHGM-së për përfshirjen më aktive e të rinjve në krijimin e ambientit profesional të punës për gazetarët”. – theksoi Çadikovski.

Drejtori Ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski, gjithashtu iu drejtua audiencës dhe prezantoi botimin e fundit me titull: “Gazetarët e rinj si shans për një epokë të re për media me integritet dhe ndikim”. (botimi është i përkthyer në maqedonisht dhe shqip).

Në pjesën e punës, e cila u zhvillua në formë të debatit, mbajtën fjalime gazetarja dhe bashkëthemeluese e Laboratorit të Gazetarisë Investigative (IRL) Sashka Cvetkovska dhe gazetarja nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Ana Petrusheva.
Sashka Cvetkovska nga IRL drejtoi sesionin mbi storjet hetimore dhe inovacionet gjatë prezantimit – nga zero deri tek prodhimi përfundimtar: Koncepti i IRL/PIOKK. Ajo me kolegët e rinj ndau edhe për praktikat bashkëkohore të raportimit në IRL dhe standardet e Projektit të raportimit për krimin e organizuar dhe korrupsionit – OCCRP, si dhe për temat e fundit që i mbulojnë si redaksi në lidhje me nivelet e larta të korrupsionit dhe abuzimit të pushtetit.

Gazetarja Ana Petrusheva ndau përvojat nga puna e saj shumëvjeçare në gazetari, duke treguar problemet dhe sfidat me të cilat janë përballur dhe ende përballen gazetarët dhe punonjësit mediatik. “Në këtë kontekst, ka gjithnjë e më pak gazetarë të rinj dhe shumë redaksi përballen me një problem serioz në gjetjen e gazetarëve. Prandaj, ky lloj trajnimi është i rëndësishëm për gazetarët e rinj që të marrin jo vetëm mundësinë për të dëgjuar përvoja nga media të tjera dhe një pasqyrë historike se si gjërat kanë ndryshuar, por edhe për standardet profesionale dhe vijat e kuqe në profesionin tonë.” – theksoi gazetarja, Ana Petrusheva.

Në pjesën e dytë të punëtorisë me temë “Krijimi i infrastrukturës për aftësitë analitike dhe teknikat hetimore dhe mbledhjen e të dhënave; organizimi i hulumtimit – Meet Aleph” si folës të ftuar para pjesëmarrësve ishin David Ilievski gazetar investigativ dhe producent në IRL si dhe Luka Bllazhev, dizajner grafik në IRL.
Në pjesën e tretë të punëtorisë, gazetari Sreqko Popovski në prezantimin e tij theksoi që punëtori të tilla kontribuojnë që gazetarët e rinj të kuptojnë dallimet midis të ashtuquajturës gazetari e zakonshme nga gazetaria e thelluar. “Ata kanë mundësi të njihen nga afër me mjetet hetimore që u qëndrojnë në dispozicion dhe mënyrat se si ato përdoren, por edhe me standardet dhe parimet që duhet të respektohen gjatë përgatitjes së temave të tilla. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është që ata kanë mundësi të kuptojnë se fokusi i punës së tyre nuk janë ata, por tema në të cilën punojnë”, tha gazetari Sreqko Popovski.

Në punëtorinë tre-ditore që u mbajt nga 22 deri në 24 korrik në Ohër, morën pjesë gazetarë/gazetare nga disa redaksi, duke përfshirë mediat tradicionale dhe mediat e reja. Gjatë punëtorisë, u ndanë përvojat për zhvillimin e gazetarisë, por edhe problemet dhe sfidat në profesionin e gazetarisë. Punëtoria tre-ditore përfundoi me një iniciativë për krijimin e seksionit të gazetarëve të rinj brenda Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) për të cilin më shumë aktivitete do të pasojnë në shtator.