SHGM dënon sulmin ndaj ekipit gazetaresk të TV Globi dhe kërkon hetim urgjent nga MPB

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër sulmin verbal, kërcënimet dhe tentativën për t’ia marrë kamerën gazetarit Blerim Mustafi nga TV Globi – Gostivar, teksa ai ishte duke kryer detyrat e tij profesionale gjatë raportimit për një ngjarje me interes publik.
Sipas informacioneve të dorëzuara në SHGM, incidenti ka ndodhur më 19 korrik në Gostivar, kur personi me inicialet A.L., i punësuar në IN Teatri i Gostivarit, e ka sulmuar verbalisht gazetarin, i ka drejtuar kërcënime dhe është përpjekur t’ia marrë kamerën. Rasti është denoncuar në SPB Gostivar, ndërsa si provë materiale pranë organeve kompetente është dorëzuar edhe një video-incizim i ngjarjes.
SHGM rikujton se çdo sulm, kërcënim apo presion ndaj gazetarëve përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave dhe të drejtës së publikut për t’u informuar në kohë dhe në mënyrë objektive.
Gazetarët duhet të jenë në gjendje ta ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm dhe në mënyrë të sigurt, pa frikë nga kërcënimet apo dhuna.
I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që menjëherë të veprojë sipas kallëzimit, t’i zbardhë plotësisht të gjitha rrethanat e rastit dhe të ndërmarrë masat përkatëse ligjore ndaj personit përgjegjës.
SHGM do të vazhdojë ta ndjekë me kujdes zhvillimin e këtij rasti dhe do të jetë në komunikim të rregullt me Prokurorinë Themelore Publike dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, me qëllim që të sigurohet një hetim efikas dhe një zgjidhje adekuate penalo-juridike, në përputhje me dispozitat ligjore për mbrojtjen e gazetarëve.
