SHGM dënon pengimin e punës së kameramanit të TV Tera dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga MPB dhe Prokuroria

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër pengimin e punës profesionale të kameramanit të TV Tera nga Manastiri, Nikolla Najdovski, nga persona të angazhuar si sigurim i Ndërmarrjes Publike “Komunalec” – Manastir.
Incidenti ka ndodhur në stadiumin “Petar Milloshevski” në Manastir, ku Najdovski po xhironte pamje të lidhura me manifestimet kulturore në qytet. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij profesionale, personat e angazhuar si sigurim e kanë sulmuar verbalisht dhe ia kanë marrë kamerën, duke e penguar të vazhdonte raportimin.
SHGM thekson se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe përbën një pengim serioz të punës së një punonjësi mediatik. Askush nuk ka të drejtë të konfiskojë në mënyrë arbitrare pajisjet e gazetarëve ose, përmes presionit dhe kërcënimeve, të pengojë një gazetar apo kameraman në kryerjen e detyrave të tij profesionale.
Duke marrë parasysh rrethanat e rastit, SHGM pret që institucionet kompetente të shqyrtojnë nëse veprimet e ndërmarra mund të vlerësohen edhe në kontekst të nenit 139 të Kodit Penal, i cili rregullon veprën e detyrimit, përkatësisht përdorimin e forcës ose të një kërcënimi serioz për ta detyruar një person të bëjë, të mos bëjë ose të durojë diçka.
Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokurorisë Themelore Publike (PTHP) që të hetojnë shpejt dhe në mënyrë të plotë të gjitha rrethanat e rastit, të përcaktojnë faktet dhe të ndërmarrin veprimet e duhura ligjore.
Gazetarët dhe punonjësit e mediave duhet të kenë kushte të papenguara për raportim profesional, ndërsa çdo pengim, frikësim ose konfiskim i pajisjeve të tyre duhet të sanksionohet në mënyrë të përshtatshme.
