SHGM: Dënim i ashpër për sulmin ndaj redaksisë së “Infomaks”

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e dënon ashpër sulmin brutal që ndodhi dje në redaksinë e “Infomaks”, gjatë transmetimit të një programi “live”, nga një person i panjohur, me ç’rast u rrezikua siguria e gazetarëve Aleksandar Mitovski dhe Milosh Miloshevski, si dhe e punonjësve të redaksisë.
Sipas informacioneve nga kolegët e Infomaksit, një person i panjohur kishte mbërritur me taksi para redaksisë gjatë emisionit. Sulmuesi filloi të godiste dhe të trokiste agresivisht në derën hyrëse, e cila ishte e mbyllur dhe e siguruar me kod. Pas një kohe të shkurtër, ai arriti ta thyejë me forcë dhe të hyjë në oborrin e redaksisë. Në momentin kur ekipi bëri një pauzë nga transmetimi, gazetari Milosh Miloshevski doli të shohë se çfarë po ndodhte. Sulmuesi vazhdoi të lëvizte drejt pjesës tjetër të objektit, ku me forcë theu edhe një derë tjetër duke tentuar të hynte në studio.
Sipas dëshmive të kolegëve, personi ka shqiptuar fyerje dhe kërcënime për jetë, ndërsa hyrja e dhunshme në redaksi çoi edhe në ndërprerjen me forcë të transmetimit, duke i penguar drejtpërdrejt gazetarët të kryejnë detyrën e tyre profesionale dhe të informojnë lirshëm.
Një sjellje e tillë mund të përfshihet në dispozitat e nenit 382 të Kodit Penal – “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, për të cilin parashikohen dënime deri në tre vjet burg, duke marrë parasysh se sulmuesi ka hyrë dhunshëm në studio, ka thyer inventar dhe ka ndërprerë me forcë punën e gazetarëve, duke penguar kështu detyrën e tyre për të informuar publikun.
Ky incident paraqet një shkelje serioze të sigurisë së punonjësve mediatikë dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes. Ngjarja edhe njëherë e rikujton opinionin dhe institucionet për domosdoshmërinë e sigurimit të një ambienti të sigurt dhe të mbrojtur për punën e mediave.
Kërkojmë sanksionimin më të rreptë të autorit të veprës, me qëllim parandalimin e sulmeve të ardhshme dhe tolerancë zero ndaj dhunës ndaj gazetarëve.
Presim që të gjitha institucionet kompetente, përfshirë policinë dhe prokurorinë, të veprojnë profesionalisht, në mënyrë efikase dhe pa vonesa, me qëllim që rasti të zbardhet plotësisht në afatin më të shkurtër të mundshëm.
SHGM do të vazhdojë ta ndjekë me kujdes rastin dhe do të reagojë sa herë që cenohet siguria e gazetarëve dhe punonjësve të mediave.
