SHGM alarmon SHBA-në dhe BE-në për Ligjin për reklamim qeveritar

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, sot u dërgoi letër garantuesve të Marrëveshjes së Përzhinos, ambasadorëve të SHBA-së dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Xhes Bejli dhe Aivo Orav, perms së cilës shpreh shqetësimin për propozim ligjin e miratuar nga Qeveria për reklamim qeveritar.
Në letër theksohet se ligji i legalizon dhe zgjeron raportet e deritanishme korruptive mes pushtetit dhe mediave. Kështu, Qeveria do ta forcojë kontrollin ndaj mediave dhe do ta kufizojë të drejtën e informimit për qytetarët.
Bisedat e përgjuara të publikuara padyshim e konfirmuan lidhjen mes reklamimit të mediave dhe përzierjes së përfaqësuesve të pushtetit në punën e mediave, thuhet në letër.
Fushatat nuk kanë asnjë interes publik, por janë propaganda politike e VMRO DPMNE-së, përmes së cilës promovon në media ideologjinë e saj dhe programin politik. Vetë ministrja e Shoqërisë Informative dhe Administratë, Marta Tomovska, në brifingun me përfaqësuesit e gazetarëve dhe mediave konfirmoi se fushatat duhet t’i japin mundësi Qeverisë t’i drejtohet elektoratit të saj.
SHGM i përkujton ambasadorët se në vend të fushatave qeveritare, SHGM angazhohet për subvencionimin e mediave. Paratë e fushatave të shfrytëzohen për prodhimin e përmbajtjes mediatike me interes publik, për rritjen e pluralizmit politik në media, mbështetje për mediat e pakicave, forcimin e rrjetit të korrespodentëve në media, trajnim për gazetarët e të tjera.