Sfida për të organizuar zgjedhje gjatë pandemisë me KOVID-19

Pandemia e Kovid-19 bëri ndryshime tektonike në shumë vende, të cilat përveç me problemet shëndetësore dhe ekonomike, po përballen edhe me sfidën e demokracisë. Viti i zgjedhjeve për Shtetet e Bashkuara t; Amerikës dhe për mbi 15 vende evropiane, përfshirë edhe vendin tonë. Fillimisht të planifikuara për 12 prillin, pastaj për 15 korrik. Ajo që është e sigurt është se virusi i ri do të jetë i pranishëm gjatë zgjedhjeve. Votimi do të zhvillohet nën masa të veçanta shëndetësore. Kjo është pjesë e të ashtuquajturës “normalitet i ri”, i cili hap një seri dilemash.
Për herë të parë, do të kemi një fushatë zgjedhore pa tubimet e zakonshme dhe mbledhjet publike. Partitë do të kenë në dispozicion mjete digjitale për t’u paraqitur para votuesve. Megjithëse fushata tani është në fillim, Komisioni Zgjedhor ka filluar me përgatitjet. Kreu i KSHZ-së thotë se një pjesë e vendvotime nuk i plotësojnë kushtet dhe duhet të zëvendësohen.
“Po vijnë raportet dhe nga njësitë tona rajonale ka kërkesë për ndryshime. Ne po e bëjmë këtë, por do të duhet kohë që nëpërmjet fushatave të njoftojmë votuesit për vendosjen e vendvotimeve të reja. Le t’i njoftojmë së pari dhe t’u themi qytetarëve se nuk do të votoni atje, por diku tjetër” – Oliver Derkovski – kyetar i KSHZ.
Përderisa KSHZ është duke i kontrolluar kushtet teknike për mbajtjen e zgjedhjeve, publiku po monitoron nga afër aktivitetet e partive. Në kushte të pandemisë dhe krizës, solidariteti është i nevojshëm. Sidoqoftë, një pjesë e publikut ka vërejtur edhe blerje të votuesve nëpërmjet të shpërndarjes së ndihmës. Sipas Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, gjatë fushatës së ndalur, nuk sheh asgjë të diskutueshme në shpërndarjen e paketave.
“Është një fakt që të gjitha aktivitetet zgjedhore kanë qenë të ndaluar për një kohë të gjatë dhe shpërndarjа e pakove për qëllime humanitare nuk mund të konsiderohet si ndikim apo ryshfet, në pajtim me dispozitat tona, domethënë ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, por edhe sipas Kodit Zgjedhor. E vetmja gjë që i ngjan ryshfetit është pjesa e nenit 47 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, por është shumë e vështirë të vërtetohet nëse bëhet fjalë për ryshfet”- Katica Nikolova, anëtare e KSHPK-së.
Komisioni për antikorrupsion kërkon transparencë në tërë procesin e dhurimit, dhe rregullat e zgjedhjeve do të zëvendësojnë ato humanitaret kur vazhdon fushata.
“Sapo të bien dakord palët për datën e zgjedhjeve, ose nëse nuk ka marrëveshje, dhe dekreti për të ndaluar aktivitetet zgjedhore pushon së vlefshmi, zgjedhjet do të vazhdojnë aty ku kanë mbetur, atëherë Komisioni Shtetëror do të jetë shumë më aktiv në monitorimin e ndihmave humanitare, të cilët atëherë do të konsiderohen si ryshfet i votuesve” – Katica Nikollova, anëtare e KSHPK.
Sfida kryesore, megjithatë, është dita e zgjedhjeve. Një sfidë për autoritetet shëndetësore, për ata që zbatojnë dhe monitorojnë zgjedhjet, për partitë, por edhe për votuesit. Shëndeti i përgjithshëm dhe njëkohësisht legjitimiteti i procesit duhet të ruhet. Votuesit kanë disa dilema… Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe siguron që procesi i votimit do të jetë i sigurt nëse të gjithë respektojnë rekomandimet.
“Për sa i përket heqjes së maskës, nëse njerëzit e tjerë janë të mbrojtur, atëherë heqja e maskës nuk është ndonjë rrezik. Sepse në këtë mënyrë nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë nëpërmjet frymëmarrjes” – tha Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
KSHZ-ja thotë se nuk ka nevojë për shqetësime kur bëhet fjalë për llakun e padukshëm.
“Në lidhje me llakun, po, do të duhet qytetarët të spërkatën si zakonisht. Ne kemi bërë disa prova me mjete dezinfektimi, dhe për fat të mirë llaku nuk shlyhet por përhapet dhe më dukshëm shënon votuesit, që në këto rrethana është gjë e mirë. Sidoqoftë, ne do ta lëshojmë atë edhe në analiza të tjera kimike që të jemi të sigurt nëse ka ndonjë rrezik “- Derkovski.
Derkovski kërkon më shumë kohë për t’u organizuar sepse shumë gjëra duhet të sigurohen para ditës së zgjedhjeve. Të gjithë do të duhet të pajisen me maska, si dhe veshje mbrojtëse për ata që do të hyjnë në shtëpitë e të sëmurëve dhe do të duhet të dezinfektohet materiali dhe hapësirat, dhe do të ketë nevojë shtesë për ndryshime në bordin zgjedhor pasi disa anëtarë kanë kërkuar të përjashtohen për arsye shëndetësore. KSHZ është e bindur që ka aftësinë për të zhvilluar zgjedhje të ligjshme dhe të sigurta, por janë të shqetësuar vetëm për mungesën e kohës për përgatitje.
“Nuk ndryshon asgjë për askënd, së paku ky është mendimi im për 20 ditë nga ajo që po diskutohet, por do të na jepet hapësirë e mjaftueshme që ne si KSHZ të mos bëjmë ndonjë gabim dhe kështu të mos rrezikojmë shëndetin e dikujt” – Derkovski.
Vëzhguesit janë të gatshëm të monitorojnë zgjedhjet. Organizata MOST dhe Misioni Ndërkombëtar i OSBE / ODIHR do të monitorojnë fushatën dhe procesin zgjedhor. Pas shtyrjes së zgjedhjeve, ODIHR tregoi se do ta dërgonte misionin e vet kur të ripërcaktohen zgjedhjet. Disa parti u deklaruan se vendi nuk duhet t’i lejojë vetes një proces zgjedhor pa praninë e ODIHR-së. Organizata civile MOST do të monitorojë këtë cikël zgjedhor me më pak vëzhgues sesa zakonisht, por besojnë se mund të zbatohen zgjedhje legjitime.
“Për sa i përket shëndetit, ne nuk mund të themi nëse janë krijuar të gjitha kushtet e duhura. Këtë duhet ta thonë institucionet shëndetësore, si çfarë masash duhet të sillen që të mund të zhvillohen zgjedhjet. Nga aspekti i legjitimitetit, ne mendojmë se masat nuk do të paraqesin pengesë” – Zllatko Dimitrijoski – MOST
Koreja e Jugut, Izraeli dhe Irlanda janë ndër vendet që zhvilluan zgjedhje në kohë të pandemisë, ndërsa vëzhguesit thonë se edhe në të kaluarën ka pasur shembuj të cikleve zgjedhore që janë zhvilluar me masa të veçanta shëndetësore.
“Është interesante se në të kaluarën kemi pasur një pandemi të ngjashme, ndoshta jo në shkallë kaq të lartë, flas për atë të vitit 2009 me gripin e derrit, dhe disa nga përvojat që janë përdorur gjatë asaj pandemie do të përdoret edhe tani. Duke marr parasysh si u zhvilluan zgjedhjet, por edhe rekomandimet e dhëna nga të gjitha organizatat përkatëse si Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore, IDEA nga Suedia etj. Të gjithë thonë se mund të mbahen zgjedhje” – Zllatko Dimitrijoski – MOST.
Vendet evropiane tashmë janë duke kërkuar mënyra për të votuar në mënyrë elektronike, dhe në disa prej tyre kjo funksionon vetëm në nivel lokal. Në Evropë, vetëm Zvicra dhe Estonia mund të lavdërohen me një sistem elektronik të votimit. Mundësia për mashtrime mbetet një problem i madh në përpjekjen për të gjetur zgjidhje elektronike për zhvillimin e zgjedhjeve. Ne do të detyrohemi të shkojmë drejt tendencave botërore, por për momentin nuk jemi të gatshëm për zgjidhje të tilla – thonë vëzhguesit.
“Nëse flasim për votimin përmes internetit, ky është një tipar i shteteve shumë më të avancuara që kanë mbrojtje, sigurojnë mbrojtje të plotë të votimit dhe garantojnë që vota e qytetarëve nuk mund të keqpërdoret. Nga ana tjetër, ne tashmë po planifikojmë identifikimin elektronik ose biometrik në vendvotimet, d.m.th. KSHZ-ja është përgjegjëse për të bërë një elaborat ose specifikim për atë se si mund të bëhet kjo gjë. Ndoshta më tutje do të votohet në mënyrë elektronike në vendvotimet përmes të njëjtave makina që do të përdoren për identifikimin e votuesve. Por, nuk mendoj se mund të mendojmë tani për votimin elektronik. Mendoj se ende duhet të rritet besimi në procesin zgjedhor. Vetëm kur e dimë se të gjithë kemi besim te të gjithë faktorët dhe palët e interesuara në këtë proces, dhe veçanërisht në ato që i zbatojnë zgjedhjet dhe vendosin për vërejtjet, atëherë mund të kalojmë në forma më të sofistikuara. Në çdo rast, kjo pandemi ka bërë që të mendojmë për forma të reja” – Zllatko Dimitrijoski – MOST.
Vendi që ka bërë ndoshta më së shumti testime të sistemit elektronik të votimit është SHBA. Janë zhvilluar disa sisteme të votimit. Sistemin që përdor ekranet me prekje, shumë njerëz e vlerësuan si të thjeshtë. Zgjedhësi duhet të shtypë zgjidhjen e tij / saj dhe vota kopjohet në ekranin e tij, dhe pas votimit, të gjitha votat transferohen në bazën qendrore e të dhënave. Identifikimi i votuesve bëhet me ndihmën e një karte.
OMR në një fletëvotim është një mundësi tjetër që është testuar në Shtetet e Bashkuara. Sistemi i tillë bazohet në shënimin elektronik të fletëvotimit duke shuar emrin e kandidatit të zgjedhur në lexuesin OMR dhe fletëvotimi vendoset në kutinë e votimit, pas së cilës zgjedhësi merr një konfirmim për votimin. Pas mbylljes së votimit, rezultatet nxirren nga lexuesi OMR dhe shtypen për shqyrtim më të hollësishëm. Rezultatet pastaj transmetohen përmes një modemi në pikën qendrore të krahasimit në atë njësi shtetërore.
Ndërmarrja private VoteHere.net, e themeluar në vitin 1996 në Uashington, është një ofrues i votimit në internet. Në zgjedhjet presidenciale në SHBA, VoteHere.net zhvilloi zgjedhje të rreme, të cilët ata i quajtën një eksperiment nën hijen e votimit në internet në vendvotimet e zgjedhura. Qëllimi i këtij eksperimenti ishte të afronte për votuesit konceptin e votimit në internet. Terminalet e kompjuterëve janë vendosur në qendrat e votimit, dhe pasi votuesit kanë votuar në mënyrën tradicionale, është kërkuar nga tyre që të votojnë duke përdorur një kompjuter dhe internet. Në këtë eksperimentim nuk ka pasur votim të vërtetë në internet sepse qëllimi ka qenë të testohen reagimet e votuesve ndaj një koncepti të tillë. Duhet të theksohet se eksperimenti në hije nuk testoi çështjet e sigurisë të lidhura me votimin në internet. VoteHere.net beson se ekziston një dilemë rreth përcaktimit të kompjuterit të votuesit në mënyrë që i njëjti të jetë i sigurt.
Siguria, pra eliminimi i mundësisë së mashtrimit elektoral, është shqetësimi më i madh i krijuesve të sistemeve të votimit. Vitin e kaluar, në Panairin botëror të hakerëve , një grup hakerash morën detyrë të “hyjnë” në një nga sistemet e programuara të votimit elektronik, dhe sipas mediave botërore, hakerët e bënë këtë me lehtësi. Kërkimi për një sistem të sigurt elektronik është ende në vazhdim.
Autorë: Kristina Atovska, Enis Murtezi, Almira Faslii, Aleksandar Gjorgievski.
Kjo storje është bërë në kuadër të punëtorisë “Gazetaria në kohë të pandemisë, gjendjes së jashtëzakonshme dhe karantinës – Sfidat, përgjegjësia dhe periudha e ndryshimit dhe përshtatjes” e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull nuk pasqyrojnë pikëpamjet e organizatorëve.