Selmani paralajmëroi se Qeveria dëshiron të futë censurë në media

Ministria për shoqëri informatike dhe administratë sot në Shkup organizoi debat për Draft-ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele.
Përfaqësuesi i ShGM-së Naser Selmani, e akuzoi Qeverinë se me përpjekjen për të futur dënime me para për raportim joetik të mediave dëshiron të krijon censurë, e cila është e ndaluar me kushtetutën e Maqedonisë. Selmani shpjegoi se Qeveria dëshiron të përzihet në përmbajtjet mediatike dhe të luajë rolin e kryeredaktorit, dhe t’ju tregon gazetarëve çka është raportim etik e çka është raportim joetik.
“Ju nuk jeni konzistent në qëndrimet tuaja, nga njëra anë thoni se e mbështetni vetë-rregullimin në mediat, ndërsa nga ana tjetër propozoni dënime për etikën gazetareske. Çfarë do të punojë Këshilli për etikë në media dhe Këshilli i nderit në ShGM nëse juve i tregoni gazetarëve si duhet të shkruajnë. Për atë do t’i dënoni mediat me 5.000 euro, ndërsa personin e përgjegjshëm me 1.500 euro. Me atë praktikisht ju jeni duke krijuar censurim”, tha Selmani dhe shtoi se edhe njerëzit që kanë marr pjesë në shkrimin e këtij neni të ligjit, jo vetëm se janë armiq të lirisë së fjalës, por edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë punojnë kundër kredibilitetit të kësaj qeverie, e cila dëshiron të tregohet si reformiste.
Ai tha se nëse nuk fshihen dënimet për standardet etike në gazetari, Maqedonia rrezikon të shkelë Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, të cilën është e obliguar ta respektojë si anëtare e Këshillit të Evropës. “Neni 10 nga Konventa shumë saktë definon për çka mund të kufizohet liria e fjalës. Ju me këtë nen jeni duke dalë jashtë suazave dhe dëshironi të futni kufizime të reja”, paralajmëroi Selmani.
Sipas tij, 0.7 për qind nga buxheti për financimin e RTVM janë mjete të pamjaftueshme për funksionimin normal të servilit publik. “Kur ishit në opozitë nuk ju pengonte të mbështesni 1 për qind nga buxheti të ndahet për servilin publik, ndërsa tani parashikoni 0.7 për qind nga buxheti. Nëse RTVM ka borxh prej 30 milion euro, atëherë si planifikoni me këto 15 milion euro t’i menaxhoni këto borxhe. Si mendoni të hapni kanal të ri në gjuhën shqipe, të pajisni RTVM-në, t’i rrisni pagat e të punësuarve, dhe mos të filloj të flas për procesin e digjitalizimit”, tha Selmani.
Ministri Robert Popovski premtoi se neni 61 do të fshihet nëse atë e kërkojnë shoqatat e gazetarëve. “Nuk kemi kundër për të fshi nenin 61, por mendoni mirë se çfarë do të thotë ajo”, theksoi Popovski.
Në lidhje me financimin e RTVM, Popovski tha se është duke u shqyrtuar mundësia që çdo vjet të rritet përqindja për financimin e RTVM-së deri sa nuk vjen në përqindjen e dëshiruar, ose 1 për qind nga buxheti.
Selmani, në fund të debatit, e lavdëroi gatishmërinë e Qeverisë për t’i fshi dënimet e parashikuara në nenin 61 dhe të bisedohet për zgjidhje të financimit të RTVM-së.