Reformat në media ende presin ditë më të mira

Rruga e cila çon deri tek eurointegrimet e çdo shteti kandidat për anëtare të BE-së, është pashmangshme e lidhur me mediumet, kushtet në të cilat punojnë ata dhe kornizën ligjore mbi të cilën ata funksionojnë. Nevoja për reformim të sektorit të mediave në Republikën e Maqedonisë së Veriut është notuar tani më një kohë të gjatë dhe është pjesë e pothuajse të gjitha raporteve të organizatave ndërkombëtare të cilët e vlerësojnë këtë fushë. Me zbatim të drejtë të reformave, sektori i mediave do të sigurojë qëndrueshmëri, pavarësi nga presionet politike dhe ekonomike, por do të sigurohen edhe informacione më kualitative dhe programe për qytetarët.
Për fat të keq, në vitet e kaluara, pjesërisht u votuan disa reforma në media në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa u sollën edhe disa dispozita të caktuara nga ana e Qeverisë të cilët më parë ishin dhënë si premtime zgjedhore. Problemi kryesor në vend është moszbatimi i këtyre ligjeve dhe dispozitave.
Moszbatimi i plotë i ligjeve kontribuon për stagnimin ose regresin në sferën mediale. Shembull, një nga premtimet kryesore të kësaj qeverie ishte shfuqizimi i mjeteve shtetërore në mediat. Sipas analizës së Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, këtë dispozitë e respektojnë vetëm institucionet e pushtetit qendror, ndërsa tek pushteti lokal ende ekziston praktika e vërshimit të parave në mediat. Kjo paraqet shkelje e drejtpërdrejtë e dispozitës së Qeverisë.
Është mjaft interesante se komunat nga buxheti i tyre kanë ndarë para për parapagesë të gazetave, blerje të hapësirës për reklamim, marrëveshje për pjesëmarrje në manifestime, shërbime për marketing dhe të ngjashme. Përpos kësaj, komunat mediave lokale dhe rajonale u paguajnë për publikimin e shpalljeve dhe komunikatave si dhe për publikimin e urimeve.
Përpos kësaj, shpesh në opinion, posaçërisht në dy vitet e fundit, jemi dëshmitarë se si Qeveria premton krijimin e fondeve për mediat, qëllimi i së cilës do të jetë përhapja e fushatave “pozitive”. Nëpërmjet reklamave të paguara në mediumet, pushteti i kaluar arrinte të vendos nën kontroll disa nga mediumet më të mëdha nacionale dhe më këtë ta vras kritikën në opinion.
Derdhja e parave në mediat private vazhdon edhe me reklamimin politik të paguar. Shembull, gjatë kohës së zgjedhjeve presidenciale për reklamim politik të paguar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve u ka paguar mediave 3.75 milionë euro. Nga këto mjete diçka më pak se 1 milion i kanë ndarë radiot, gazetat dhe mediat online, ndërsa më shumë se 3 milionë euro u janë paguar pesë televizioneve nacionale.
Praktika e moszbatimit të plotë të reformave është më evidente në përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Programor të TVM-së, dhe të anëtarëve të Këshillit në Agjencinë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele.
Nën arsyetimin se opozita e ka kontrollin në Komisionin për përzgjedhje dhe emërime, Këshilli Progamor i TVM-së dhe Këshilli i ASHAM tani më një periudhë të gjatë nuk mund të marrin anëtar të rinj, ndërsa është dashur të zgjidhen në vitin 2019.
Duke e patur parasysh se puna në servisin nacional është një nga lidhjet kryesore ose dirigjuesi kryesor në mediumet në çdo shtet demokratik, bëhet e qartë se pikërisht kjo reformë është kyçe për reformimin e tërë hapësirës mediale. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka vendosur se procedura për përzgjedhjen e anëtarëve të këtyre dy trupave mund të bëhet përsëri, ndërsa kjo nënkuptonte ripërsëritjen e thirrjes së hapur për paraqitjen e anëtarëve të ri.
Vlen të theksohet se vetëm përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit Programor nuk do ta zgjidh problemin me reputacionin dhe shikueshmërinë e Radio Televizionit të Maqedonisë. Procesi i kthimit të besimit në servisin publik do të jetë i gjatë dhe i vështirë. Problemet me administratën, financat, borxhet, programin, mungesën e kuadrit kualitativ dhe të tjera probleme nuk zgjidhen brenda natës.
Modeli i tanishëm i përzgjedhjes së anëtarëve të ri në këto dy trupa imponon arritjen e konsensusit mes pushtetit dhe opozitës, ngase anëtarët e propozuar zgjidhen me shumicë prej dy të tretave. Kështu, pragu i lartë i vendosur që të ketë shumicë prej dy të tretave për tu përzgjedhur trupat drejtues dhe të servisit publik, në situatën e tanishme politike e cila pothuajse skajshmërish është e polarizuar dhe pamundësia që një parti ose koalicion ta krijojë atë shumicë të nevojshme, i bën dy trupat praktikisht të pazgjedhshme.
(Mos) emërimi i anëtarëve në këto dy trupa nuk është problemi i vetëm në sferën e mediave. Financimi i servisit publik gjithashtu paraqet problem i madh. Përkundër obligimit ligjor, Qeveria në vitet e kaluara nuk arriti të siguroj rritje graduale të buxhetit për TVM nga 0.6 për qind në vitit 2018 deri në 1 për qind përfshirë vitin 2021. Me krizën e shkaktuar nga koronavirusi, mjetet për vitin 2021, jo vetëm që nuk u rritën por edhe janë ulur për 3.6 milionë euro[1].
Kjo mund të cilësohet si përzierje direkte në politikën financiare dhe redaktuese të servisit publik, gjë që është e palejueshme dhe e papranueshme për një shtet demokratik.
Siguria e gazetarëve është edhe një çështje e hidhur në kontekst të kushteve në të cilat funksionojnë gazetarët dhe mediat në Maqedoninë e Veriut. Sipas Regjistrit të sulmeve të SHGM-së, në dy vitet e fundit janë regjistruar më tepër se dhjetë sulme verbale mbi gazetarët, prej të cilëve pjesa më e madhe e tyre janë kërcënime në rrjetet sociale. Për fat të keq, edhe pse shumica e sulmeve janë të denoncuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme ose në Prokurorinë Publike, vetëm njëri nga kërcënuesit është dënuar nga gjykata.
Në drejtim të përmirësimit të sigurisë së gazetarëve, SHGM dhe SPGPM një periudhë të gjatë kanë kërkuar ndryshime në Kodin Penal, në të cilin do të vendosen edhe veprat penale me të cilat do të ngritët niveli i mbrojtjes së gazetarëve dhe punonjësve mediatik[2].
Këtë vit, më në fund Qeveria[3] publikoi se kanë miratuar këto ndryshime dhe në të ardhmen sulmi mbi gazetarët dhe punonjësve mediatik do të trajtohen si sulme mbi persona zyrtar, ndërsa dënimet për sulmuesit do të jenë më të larta dhe më të rrepta.
Si në rastin e ligjeve të tjera të cilat e rregullojnë punën e mediumeve, gazetarët dhe punonjësit mediatik, në të ardhmen do të jetë kyçe që këto ndryshime ligjore të mos jenë vetëm në letër, por të zbatohen me përpikshmëri nga ana e institucioneve kompetente.
Përfundimi kryesor i kësaj analize është se reformat në mediumet mund të jenë të mira vetëm nëse zbatohen me përpikshmëri në praktikë. Nëse mediumet lejohen të funksionojnë një periudhë të gjatë pa zbatim të plotë të ligjeve, tregu mediatik do të deformohet, gazetaria do të bëhet gjithnjë e më pak profesion atraktiv tek të rinjtë, cilësia e përmbajtjeve do të bie, ndërsa qytetarët do ta humbin besimin në mediumet.
Gjithashtu, duke pritur që të zbatohen këto reforma, paraqitet nevoja edhe për ndryshime të tjera të ligjeve dhe rregulloreve, posaçërisht në kontekstin e lehtësimit të punës së mediave dhe gazetarëve të cilët u gjetën në pozitë të keqe për shkak pandemisë me kovid-19.
Është e nevojshme të gjithë institucionet të mundësojnë kushte të sigurta për punë të gazetarëve dhe punonjësve mediatik, posaçërisht gjatë punës në terren ose mbulimit të ngjarjes organizuar nga dikush prej organeve shtetërore.
Pergatitur nga: Deniz Sulejman
Ky publikim u përgatit brenda kornizës së projektit “Mbrojtja e Hapësirës Civile – Qendra Rajonale për Zhvillimin e Shoqërisë Civile”, financuar nga SIDA dhe implementuar nga BCSDN. Përmbajtja e këtij publikim dhe informacioni e pikëpamjet në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet dhe mendimet të SIDA dhe BCSDN. Përgjegjësia për informacionin dhe pikëpamjet e shprehura në këtë dokument i takon vetëm autorit (ve).
[1] TVM janë shkurtuar 3.6 milionë euro në propozim buxhetin për vitin 2021 https://mediaobservatorium.mk/mrt-so-skrateni-3-6-milioni-evra-vo-predlog-budhetot-za-2021-godina/
[2]Ndryshime në Kodin Penal për mbrojtje më të madhe të gazetarëve dhe punonjësve mediatik https://znm.org.mk/izmeni-na-krivichniot-zakonik-za-pogol/
[3]Mariçiq: Kemi bërë ndryshime ligjore që mos të na përsëriten sulmet mbi gazetarët https://vlada.mk/node/26034