Rasti “Filan” dhe raportimi mbi sulmet terroriste urbane

Raportimet gazetareske mbi këto tema, të ndjeshme, duhet të jetë më gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në raporte vetëm nga hetimi i ekspertëve, për të mos nxitur protesta publike në publik dhe gjuhë urrejtjeje, që në vetvete është vepër penale.
Disa muaj më parë, mediat evropiane publikuan lajm për një proces gjyqësor që ka filluar më 2 shtator të këtij viti në Frankfurt, lidhur me një sulm të planifikuar terrorist në Gjermani nga tre të rinj. Informacioni në vendin tonë u bë veçanërisht interesant, pas njoftimit se udhëheqësi i grupit ishte një gjerman me origjinë maqedonase. Këta të rinj tani janë në gjyq pasi organizuan një sulm të dështuar terrorist vitin e kaluar, në të cilin ka marrë pjesë një gjerman me origjinë maqedonase, së bashku me dy shtetas të tjerë turq që kanë qëndruar në këtë vend evropian.
Ajo që shqetësoi veçanërisht publikun maqedonas ishte publikimi i identitetit të sulmuesit, Filan Mitrev, djali i kardiokirurgut të njohur, dr. Zhan Mitrev. Kjo e dhënë nuk ishte në fokus të veçantë të mediave të huaja, gjë që nuk ishte rasti me mediat e vendit. Prandaj, mënyra e përcjelljes së rastit dhe analizimi i tij në media të huaja dhe në ato maqedonase ishte e ndryshme.
U “ndërtuan” një sërë informacionesh, analizash dhe interpretimesh nga shumë media maqedonase, secila nga këndvështrimi i vet, kurse disa prej tyre me të dhëna zyrtare,por në disa prej mediave vërehej një sensacionalizëm i theksuar.
Në mungesë të njohurive rreth motivit të vërtetë të këtij sulmi, u thurën interpretime të ndryshme që ishin pjesë e diskursit mediatik. Pastaj, pas disa titujve sensacional të tipit “Ai nuk është djali im!” dhe pas informacioneve gjysmake, me gjasë tendencioze dhe të fuqishme, u ngritën akuza nga një numër i qytetarëve ndaj babait të tij, kardiokirurgut të njohur Zhan Mitrev. Theksi u vu në gjenezën familjare dhe mënyrën sesi, kinse, funksiononte familja Mitrevi, duke nënvizuar “fajin” e babait. Në bazë të një raportimi të tillë spekulues, publiku “e ndërtoi” shpejt e shpejtë profilin e Filanit, dhe në të njëjtën kohë u shkaktua një “zhurmë” e vërtetë në rrjetet sociale me pretendime të ndryshme, por të mbështetura rrallëherë nga burime serioze.
Sipas drejtoreshës ekzekutive të Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni, Marina Tuneva, informacionet e këtij lloji janë me interes të lartë publik, sepse transmetojnë lajme që ndërlidhen me akuzat për terrorizëm në Gjermani.
“Në një raportim të tillë, natyrisht, duhet pasur kujdes si për të gjitha temat e tjera me interes publik. E kjo kërkon respektim të plotë të standardeve profesionale, por edhe respektim ndaj dinjitetit dhe reputacionit të anëtarëve të familjes. Përgjegjësinë për sjelljen e të rriturve nuk mund ta mbajnë prindërit. Është edhe më e papërgjegjshme që “analogji” të tilla të dalin nga vetë mediat. “Analizat” obsesive të këtij lloji në rrjetet sociale dhe në media jo vetëm që janë krejtësisht të panevojshme, por gjithashtu mund të sjellin pasoja”, thekson Tuneva.
Tezat dhe observimet gazetareske me qasje sensacionaliste konsiderohen si provokim për një pjesë të lexuesve, kurse tezat e tilla transmetohen lehtësisht edhe në rrjetet sociale, gjë që më pas pasohen nga spekulime shtesë, shpeshherë të pasuara me kualifikime dhe komente të papëlqyeshme. Komentet hidhnin hije mbi ekspertizën e mjekut dhe shkuan deri atje sa të përdorin kualifikimet “të tillë janë severxhanët”. Akuza të tilla, megjithëse tingëllonin groteske, tregojnë për një sfond të gjerë politik dhe dëshirën për të shfrytëzuar çdo moment për linçim.
Duke shtrembëruar deklaratën fillestare të mjekut “Ai nuk është djali im!”, një numër i madh i klik-mediave e hiperbolizuan atë deri në atë pikë sa “babai i keq” kishte hequr dorë nga i biri i tij, duke transmetuar më tej sqarimin e tij se bëhet fjalë për djalë moshë-rritur, mbi jetën e të cilit si prind nuk mund të ndikohet më.
Kishte informacione që çonin në keqkuptim dhe ishin shkak për komente të njëanshme mbi ngjarjen, duke injoruar çdo fakt tjetër.
Profesoresha universitare doc. dr. Vesna Poposka thotë se ka mungesë të kronikave edukative për të ndihmuar popullatën më të re që eventualisht do të mund të bien nën ndikime negative.
“Mediat luajnë rol kryesor në parandalimin e proceseve të radikalizmit, si përmes mënyrës së raportimit ashtu edhe përmes përmbajtjeve që i plasojnë. Fatkeqësisht, sidomos në hapësirën digjitale, mediat më shumë ndjekin senzacionalizmin se sa të
mbeten konsekuente në rolin që duhet të luajnë. Kufiri midis të drejtës së publikut për t’u informuar dhe të jetë i informuar në mënyrë adekuate, duke mbrojtur të drejtën e privatësisë dhe dinjitetin e familjeve, është shumë i hollë. Në shoqëritë në tranzicion, sinjalizimi është i pashmangshëm dhe mund të jetë një burim shtesë i radikalizmit. Nga ana tjetër, na mungojnë kronika hulumtuese mbi këtë temë, si dhe çdo hulumtim parësor. Ka zëra, por jo edhe fakte, kështu që unë i inkurajoj mediat t’i hetojnë ato”, thotë doc. dr. Poposka.
Ndër ata që iu qasën kësaj teme në mënyrë profesionale është ueb-portali i magazinës “360 gradë”, në artikullin me titull “Maqedonasi i akuzuar për terrorizëm në Gjermani është djali i Dr. Zhan Mitrev”, për nevojat e të cilit tekst janë shfrytëzuar të dhëna nga shumë burime dhe nga media relevante hulumtuese në Gjermani.
Aty theksi vihet te provat, pa hyrë në interpretime individuale autoriale dhe shpjegime të të dhënave të gjera që ata i citojnë. Dhe, në këtë mënyrë janë respektuar parimet mbi të cilat duhet të bazohet raportimi për tema që ndërlidhen me terrorizmin.
Që në fjalinë e parë, në hyrje, shpjegohet dhe shpaloset e gjithë historia, e më pas nënvizohet poenta.
Shembull: “Grupi prej tre djemsh, i udhëhequr nga Filan Mitrev, u arrestua në nëntor të vitit 2019, në përpjekje për të kryer një sulm në të cilin ata do të vrisnin sa më shumë “jobesimtarë”. Mediat gjermane përdorin shembullin si provë se viktimat e grupeve radikale nuk janë vetëm të rinj nga familje të varfra. Ka ndërruar fenë e tij dhe donte të vriste “jobesimtarë”. Djali 25-vjeçar akuzohet gjithashtu edhe për përgatitjen e një sulmi vetëvrasës që ka planifikuar ta kryejë në një pub në Sahsenhausen”, thuhet në artikullin gazetaresk.
Të dhënat relevante janë marrë në detaje nga media lokale gjermane “Frankfurter Rundsh”, e cila heton historinë nga dora e parë. Analiza përmban informacione që Filani ishte tashmë i njohur për policinë, për shkak të historisë së sulmeve të mëparshme, abuzimit të parave, problemeve të varësisë dhe zhvatjes së parave nga të panjohur. Theksohet, gjithashtu, edhe komunikimi dhe përpjekjet e babait të tij për ta rikthyer atë në ‘rrugën e duhur’.
Një çështje e rëndësishme që, në përgjithësi, nuk është hapur për media është adresimi i nevojës për të thyer stereotipin se terroristët janë ekskluzivisht të besimit islam ose se ata vijnë nga shtresa të varfra shoqërore, si dhe nga familje jofunksionale. Por, një qasje e tillë ka në tekstin e magazinës “360 gradë”, ku shqyrtohen edhe aspektet financiare të të radikalizuarve dhe pjesëmarrjes në akte terroriste për arsye fitimprurëse.
Profesori universitar dhe dekani i Fakultetit të Sigurisë në Shkup, Dr. Nikolla Dujovski, në trajnimin e fundit me temë “Ndërtimi i rezistencës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes gazetarëve të fuqizuar, mediave dhe përfaqësuesve qeveritarë”, organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ), thotë se gjithnjë e më shumë po paraqiten raste të vetë-organizimit dhe radikalizmit të të rinjve. Sipas tij, ata zakonisht nuk janë nën komandën e drejtpërdrejtë dhe të organizuar në mënyrë rigoroze të ISIS, për të cilën sigurisht nuk ka informacione të mjaftueshme për atë që po ndodh në një “organizatë të tillë të mbyllur hermetikisht”, por ata ndërmarrin aksione të caktuara të radikalizmit dhe terrorizmit me iniciativën e tyre. Kjo, në fakt, nuk do të thotë se është rasti me Filan Mitrev.
Rasti është mjaft kompleks dhe kërkon analizë profesionale shtesë nga ekspertë të sigurisë, kriminologë, psikologë dhe gazetarë profesionistë, veçanërisht pasi hap perspektiva të reja dhe një dimension të ri të terrorizmit urban dhe rekrutëve të tij të rinj, gjithnjë e më të paparashikueshëm, si dhe për kanalet e rekrutimit dhe furnizimit të armëve.
Autorë të storjes: gnen Janeski , Valentina Gjorgjievska – Pargo , Elizabeta Stojanovikj , Igor Mojanoski
Ky artikull u përgatit brenda kornizës së projektit “Ndërtimi i rezistencës kundër terrorizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit përmes kapaciteteve të përforcuara të gazetarëve, mediave dhe zyrtarëve qeveritarë”, financuar nga Evropa brenda programit STREVE Global (Forcimi i Reziliencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm -STRIVE Global) përmes Hedayah (Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm)
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe SHGM, IEP dhe Instituti Konica dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet dhe mendimet e Bashkimit Evropian.