Rast i gjuhës së urrejtjes: Kallëzim kundër Milenko Nedellkovskit për qëndrimin e tij ndaj gazetarëve të Metamorfozis

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon etiketimin e shëmtuar, fyerjet dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes nga personi Milenko Nedellkovski ndaj kolegëve gazetarë të fondacionit Metamorfozis.
Nedelkovski në video-postimin e tij në platformën YouTube me titull “Fact checking nga fact checker-ët” vazhdon me praktikën negative të etiketimit dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes. Krahas komenteve dhe ofendimeve të pahijshme, në këtë postim ai shpërndan edhe foto të kolegëve gazetarë dhe përdor fjalët “satrapë, qelb, thërija, ulcera që gjakosin në vend, se janë vendosur aty që të mos dihet e vërteta. …”. Komente të tilla agresive vënë në rrezik punonjësit e Metamorfozisit, për çka janë argument edhe komentet e papërshtatshme nën postim, të toleruar nga autori.
SHGM për këtë rast do të dorëzojë kallëzim në Departamentin e Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme me kërkesë për marrjen e masave të menjëhershme kundër përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe mos-tolerancës ndaj grupit të gazetarëve.
Theksojmë se kjo mënyrë e komunikimit publik nga personi Nedelkovski nuk është diçka e re dhe se me këtë praktikë, nëse mbetet e pandëshkuar, mund të nxisë mos-tolerancë dhe diskriminimin. Ky postim i Nedelkovskit duket se është pjesë e një sulmi të organizuar ndaj Metamorfozisit që ka kohë që po vazhdon në rrjetet sociale, duke synuar punonjësit aktualë dhe të mëparshëm. Në këtë mënyrë ata ekspozohen ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve për sigurinë personale të punonjësve të kësaj organizate dhe kjo mund të çojë në krime të tjera të urrejtjes si dhe dhunë ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Kujtojmë se Gjykata Themelore Penale tashmë, pas raportimeve të SHGM-së, ka vendosur një praktikë gjyqësore pozitive me dënime me burgim me kusht për autorët të cilët më herët kanë publikuar mesazhe kërcënuese dhe kanë përhapur gjuhë të urrejtjes në rrjetin social Facebook.
