Raportimi i mediave për zgjedhjet është përmirësuar, më pak sulme ndaj gazetarëve

Sot në Klubin e gazetarëve u mbajt debat me temë: “Raportimi i medias në fushatën zgjedhore, përvojat dhe sfidat”. Folës në debat ishin drejtori i AShMAA-së Zoran Trajçevski, kryetari i organizatës CIVIL Xhabir Derala dhe kryetari i ShGM-së Naser Selmani.
Zoran Trajçevski vlerësoi se për këto zgjedhje lokale mediat raportojnë në mënyrë profesionale dhe të balancuar, për dallim nga dy ciklet zgjedhore të mëparshme, ku u vërejtën raportime të pa balancuara dhe koordinim i dukshëm gjatë raportimit. Ai theksoi se këtë vit për herë të parë gjykata në Shkup veproi në afatin ligjor pas kërkesës të AShMAA-së dhe sjelli vendim 48 orë pas parashtrimit të kërkesës. Ai tha se gjykata ende nuk ka zgjidhur lëndët e AShMAA-së të paraqitura dy vjet më parë.
Kryetari i organizatës CIVIL Xhabir Deralla tha se në vend që të informohen, njerëzit kontaminohen me urrejtje nëpërmjet të mediave dhe ka vërejtje serioze rreth sjelljes së gjykatave. Ai theksoi rastin kur gjykata në mënyrë efektive dënoi një shtetas maqedonas për fyerje ndaj presidentit turk, por nuk sanksionon fjalën e urrejtjes të shprehur në mediat pro qeveritare në të kaluarën.
Kryetari i ShGM-së Naser Selmani tha se ekziston trend i zvogëlimit të sulmeve ndaj gazetarëve. Për dallim nga zgjedhjet e dhjetorit kur kishte të regjistruara sulme fizike ndaj gazetarëve, gjatë kësaj fushate nuk ka asnjë sulm fizik, por vetëm kërcënime verbale.
“Policia filloi të hetojë seriozisht sulmet, por shqetëson fakti se nga 54 sulme asnjë sulmues nuk është dënuar nga ana e gjykatave. Kjo tregon se kemi një politikë të qartë të mosndëshkimit. Vetëm 10 raste janë hetuar plotësisht dhe janë ngritur pesë akuza penale dhe pesë fletëparaqitje për kundërvajtje. Me politikën e mosndëshkimit, ne nuk mund të presim të përmirësohet liria e të shprehurit” tha Selmani dhe u zotua të ndërtojë mekanizëm efektiv institucional për parandalimin e dhunës kundër gazetarëve, në të cilin do të marrin pjesë policia, prokuroria dhe gjykata.
Kjo debat ishte e organizuar nga ana e OnLimit media dhe ShGM, ndërsa ishte e mbështetur financiarisht nga Civika mobilitas.