Raporti i Departamentit të Shtetit me fokus të veçantë në sigurinë e gazetarëve

Edhe këtë vit, në pjesën për mediat dhe lirinë e shprehjes, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), gjashtë herë përmendet si një organizatë e cila mbetet një partnere kredibile që monitoron shkeljet e të drejtave të gazetarëve dhe punonjësve mediatik në Maqedoninë e Veriut. Ky raport konfirmon gjetjet e SHGM-së lidhur me lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve dhe i njëjti duhet të merret me seriozitet nga ana e vendimmarrësve në vend si dhe nga gjyqësori në mënyrë që të sigurohet mbrojtje sistematike për punonjësit mediatik.
Në raportin për vitin 2021 thuhet se vendi ka bërë përparim në respektimin e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në vend. Megjithatë, Departamenti i Shtetit vëren se ka ende probleme që kanë vazhduar gjatë viteve të fundit, siç janë dhuna dhe frikësimi i gazetarëve, dhe se përgjigja nga ana e autoriteteve të vendit për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve mediatik është e ngadaltë dhe joefektive.
Në raportin janë përmendur pothuajse të gjitha sulmet më të rënda ndaj gazetarëve në dy vitet e fundit dhe është theksuar problemi me mosndëshkimin e dhunës ndaj gazetarëve, gjë për të cilën SHGM shpesh herë ka alarmuar opinionin në periudhën e kaluar. Përveç kësaj, raporti thekson se gjatë vitit të kaluar, reagimi i organeve të zbatimit të ligjit dhe autoriteteve gjyqësore ndaj rasteve të dhunës dhe frikësimit të gazetarëve ka qenë i ngadaltë dhe joefektiv.
Më tej, në raportin thuhet se në dhjetor të vitit 2020, Gjykata Civile në Shkup ka rrëzuar disa padi për dëmshpërblim të ngritura nga një grup gazetarësh dhe punonjës mediatik në prill, viti 2020, ku ata kanë kërkuar dëmshpërblim financiar nga shteti për shkeljen e të drejtës së tyre të lirisë së shprehjes për rastin e 27 prillit (viti 2017) në ngjarjet në Kuvend. Raporti thekson se Gjykata ka rrëzuar paditë e gazetareve Dushica Mrgja dhe Natasha Stojanovska për shkak të mungesës së provave. Më 15 prill, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFG) iu bashkua anëtares së saj SHGM-së, në kërkesën për kontestim të aktgjykimit të gjykatës nga viti 2020, me të cilin refuzohet padia e ish gazetarit Goran Trpenoski. Të dyja organizatat pretenduan se vendimi shkel standardet ligjore evropiane për lirinë e shtypit dhe i bënë thirrje gjykatës për ta rishqyrtuar atë vendim. Deri më 27 gusht, të tre lëndët ishin në fazë të rishqyrtimit në Gjykatën e Apelit në Shkup, ndërsa paditë e lidhura nga katër gazetarët të tjerë ishin në procedurë në Gjykatën Civile në Shkup.
Në raport thuhet gjithashtu se gjatë vitit të kaluar ka pasur raste të dhunës fizike, si dhe kërcënime dhe maltretime të gazetarëve. Deri më 27 gusht, SHGM ka regjistruar dy raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Njëri ka qenë sulm fizik mbi kameramanit të agjencisë shtetërore të informimit – MIA nga ana e demonstruesve që kanë marr pjesë në protestën më 26 shkurt kundër vendimeve gjyqësore në rastin “Monstra”. Rasti tjetër ka të bëjë me kërcënimet e përsëritura me vdekje dhe përdhunimin nga një person i identifikuar në Facebook si Arben Esati në mars kundër disa gazetarëve vendas nga Tetova. Në raport sqarohet se me kërkesë të SHGM-së, policia ka ngritur kallëzim penal kundër personit për kërcënim me dhunë dhe që nga 27 gushti rasti ishte në pritje në Prokurorinë Publike.
Në SHGM kanë pranuar edhe 20 ankesa të tjera nga gazetarët lidhur me: fyerje të bëra gjatë kryerjes së punës së tyre profesionale, sjellje e papërshtatshme e funksionarëve nga pushteti lokal dhe qendror ose anëtarëve të partive politike, si dhe mungesë e transparencës institucionale. Raporti konfirmon statistikat se deri më 20 shtator, Prokuroria Publike e Shkupit kishte shqyrtuar tetë kallëzime penale me pretendimin se sjellja ishte e kriminalizuar si “përhapje e materialeve racistike dhe/ose ksenofobike përmes sistemit kompjuterik” sipas Kodit Penal. Prokurorët kanë refuzuar tre prej këtyre lëndëve dhe kanë urdhëruar hetime të mëtejshme për pesë lëndët tjera.