Qasje stigmatizuese dhe nënçmuese e Apasievit ndaj gazetarëve

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) dënojnë qëndrimin e pahijshëm dhe të vrazhdë të deputetit Dimitar Apasiev ndaj gazetarëve, duke përdorur fjalë stigmatizuese dhe diskriminuese dhe duke i quajtur gazetarët “prostituta”, si shenjë e pakënaqësisë për mënyrën se si raportojnë nga konferenca ndërqeveritare në Bruksel. Duke vepruar kështu, si deputet aktual dhe lider i një partie politike, ai ndikon negativisht në lirinë e shprehjes dhe cilësinë e debatit publik.
Me deklaratat e tij publike nga dita e djeshme në rrjetin social Facebook, Apasiev tregon një shembull se si një personazh publik nuk duhet të komunikojë me gazetarët dhe publikun në përgjithësi.
Kjo s’është hera e parë që Apasiev përdor këtë lloj fjalimi dhe ka një qëndrim arrogant ndaj gazetarëve. Duke vepruar kështu, ai shkel drejtpërdrejt Kodin e Sjelljes Etike të deputetëve, sipas të cilit neni 6 thotë se “gjatë ushtrimit të detyrës deputeti është i detyruar të veprojë me vëmendje dhe respekt të veçantë për personalitetin dhe reputacionin e çdo individi“, duke i motivuar simpatizuesit e tjerë partiakë, por edhe individë e grupe të tjera në shoqëri, të sillen në të njëjtën mënyrë ndaj gazetarëve.
Theksojmë dhe paralajmërojmë sërish se me këtë lloj fjalimi dhe performance mund të nxitet dhunë ndaj gazetarëve, e cila është absolutisht në kundërshtim me ligjin, për të cilën janë përgjegjës edhe institucionet e sistemit.